
Në ditën e dytë të fushatës elektorale kryeministri Edi Rama është ndalur në Durrës, zonë në të cilën kandidon edhe vetë. Gjatë një takimi me operatorët turistikë të këtij qyteti kreu i qeverisë tha se me vaksinat e reja të siguruara ky do të jetë një sezon turistik më i lehtësuar. Sipas tij, synimi i qeverisë është që të vaksinohen deri në qershor 500 mijë shqiptarë.
‘’Besoj që sot realisht mund të buzëqeshni sepse me sigurimin e sasive të konsiderueshme të vaksinave, që na japin mundësinë të nisim vaksinimin intensiv ne faktikisht vëmë një bazë të arsyeshme për të pasur sezon turistik më të lehtë. Duke pasur mundësinë që të bëjmë një vaksinim intensiv, ne do të zhvillojmë me shumë këmbëngulje të gjithë procesin e vaksinimit me synimin që brenda muajit qershor maksimumi, por duke shpresuar deri në fund të majit të vaksinojmë gjysmë milion qytetarë”.
Rama premtoi gjithashtu se këtë herë kufiri me Kosovën do të jetë absolutisht i hapur si dhe operatorët turistikë do të kenë sa më pak shtrëngesa.
“Ne kemi mësuar nga sezoni i shkuar që ishte jashtëzakonisht sfidues për shkak të pandemisë, dhe patjetër që edhe këtë vit ne në radhë të parë do të sigurojmë që kufiri ynë me Kosovën të jetë absolutisht i hapur. Në radhë të dytë do të bëjmë gjithçka na takon që në aspektin e kornizës së aktivitetit turistik, gjithë ju dhe kolegët tuaj të kenë sa më pak shtrëngesa”.
Sipas tij, gjatë mandatit të tretë të PS-së, turizmi do të ketë një mbështetje të jashtëzakonshme që do të rrisë peshën e Shqipërisë në hartën e turizmin mesdhetar. (A2 Televizion)