Rama me peshëngritësit nuk harron Brukselin: Na ka ardhur në majë të hundës kjo botë me dyer të mbyllura

Nga A2 CNN
26 Qershor 2022, 20:59 | Sporte të tjera

Asambleja e Federatës Botërore të Peshëngritjes u zhvillua sot në Tiranë dhe zgjodhi si president Jalood Mohammed Hasan nga Katari.

Në ceremoninë pasuese, të zhvilluar në Pallatin e Brigadave dhe ku merrnin pjesë bashkë me përfaqësuesit e 156 vendeve anëtare edhe kryeministri Edi Rama, presidenti i ri i Federatës falënderoi federatën shqiptare për organizimin, që sipas tij, do të kujtohet gjatë, edhe për një arsyeje praktike.

Presidenti i ri i Federatës Botërore të Peshëngritjes, Mohammed Hasan

“Falënderojmë Shqipërinë, këto janë zgjedhjet më të mira të jetës sime, në edicione të tjera shpesh herë na refuzohej viza dhe shumë vende nuk mund të votonin”, deklaroi Mohammed Hasan.  

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Rama nuk mungoi të kujtonte edhe pa e cituar zhgënjimin e përjetuar në Samitin e Brukselit.  

Pirro Dhima

“Peshëngritësit tanë janë vërtet frymëzim, ata kanë pasur mundësinë të tregonin që edhe nga një vend fare i vogël si Shqipëria, dalin talente me punë të madhe e duke punuar fort, sepse kjo bën diferencën. Ndihemi krenar që kemi mikpritur këtë sukses, kjo nuk do të kishte ndodhur pa presidentin e federatës shqiptare Elez Gjozën. Po të kishim pasur probleme me vizat, ai na tha se do të përballeshim me muskujt e atletëve. Në rast se dëshironi të keni një vend ku të mos përdorni fare viza, ky vend është Shqipëria”, deklaroi kryeministri në formë shakaje, por më pas shtoi më seriozisht se “na ka ardhur në majë të hundës kjo botë me kufij, me dyer që mbyllen, me viza me certifikata. Këtu gjërat janë të thjeshta. Këtu miqtë janë Perëndia! Kjo bazohet te kushtetuta jonë e parë, te Kanuni, ku në paragrafin e parë thuhet se shtëpia e shqiptarit i përket zotit dhe mikut”, deklaroi Rama.

https://a2news.com/2022/06/25/zhvillohet-asambleja-zgjedhore-tirana-zgjedh-presidentin-e-ri-te-federates-boterore-te-peshengritjes/

I pranishëm ishte edhe ish-peshëngritësi Pirro Dhima, simbol i peshëngritjes shqiptare dhe më pas greke, shtet me të cilin fitoi tri medalje ari në Lojërat Olimpike. Prej vitit 2017, Dhima mban rolin e drejtorit teknik të ekipit amerikan, dhe sot mori postin e nënkryetarit të Federatës Botërore.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos