Rama: Nga PS-ja të largohen “njerëzit e këqij”! Hipoteka në Vlorë, turpi ynë

Nga A2 CNN
27 Maj 2023, 13:44 | Politikë
Rama: Nga PS-ja  të largohen “njerëzit e këqij”!

Kryeministri Edi Rama nuk përmendi emra konkret, por nga Vlora kërkoi një “pastrim nga njerëzit e këqij” në Partinë Socialiste të kësaj dege. Ai nuk dha një emër konkret, por tha se PS-ja e Vlorës duhet të reflektojë në këtë drejtim, duke thënë se partia nuk duhet të jetë vendi ku njerëzit shihen “nga lart poshtë”.

“Hipoteka e Vlorë është turpi i PS së Vlorës dhe turpi i PS së Shqipërisë. Mora një shembull, ka edhe nga qeveria qendrore për njerëz që na kanë turpëruar, por këto shembuj na shërbejnë jo për të kthyer kokën pas dhe të themi që s’kemi punë, por të na shërbejnë që këto gjëra të mos ndodhin më dhe njerëzit e këqij të mos kenë më vend në asnjë vend ku PS do përfaqësohet, pavarësisht se me kë janë të lidhur, se me kë kanë krushk, apo komshi. Është e rëndësishme që në partinë e Vlorës të bëhet një reflektim dhe të jetë fytyra dhe dinjiteti, angazhimi dhe dashuria e atyre që votuan PS,  jo rruga që disa të bëjnë parakalime me kokën lart duke i parë njerëzit nga lart poshtë. Njerëzit e mirë dhe të përkushtuar duhet ta gjejnë vendin”, tha Rama.

Ndërsa komentonte rezultatin e zgjedhjeve për këshillat bashkiakë tha se PS ka marrë votën e vet, të konsoliduar dhe bashkuar. Mirëpo, kjo sipas Ramës duhet të shërbejë për të kuptuar që Partia Socialiste ka hyrë në një fazë të re si një nevojë për të pasur prurje të reja.

“Ne kemi arritur që si Parti Socialiste të dalim forcë e parë në këshilla bashkiakë ku nuk kemi qenë ndonjëherë forcë e parë si në Shkodër, apo në Tropojë, apo në Dibër dhe të rikthehemi si forcë e parë në të tjerë këshillash. Në këto zgjedhje ka ndodhur diçka e re. Më parë vota për dy partitë e mëdha se ka qenë edhe një parti tjetër e madhe, por ajo nuk është më, ndahej në shumë parti të vogla dhe kur vinte puna për këshillat PS kishte një përqindje shumë më të ulët se sa në zgjedhjet politike. Këtë herë, PS ka marrë votën e vet, të drejtpërdrejtë, të kondoliduar dhe të bashkuar. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar se PS ka hyrë në një fazë të re. Ka hyrë në një fazë të re dhe duhet ta kuptojmë këtë fazë të re si një nevojë për t’u hapur si asnjëherë më parë për prurje të reja të të gjitha moshave dhe për prurje të reja pa asnjë paragjykim”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos