
“Punësimet në administratë nuk janë pronë e deputetëve, por e popullit shqiptar”. Është kjo vija e kuqe sipas kryeministrit Edi Rama që do ta çojë administratën në një nivel tjetër cilësie dhe qasjeje.
“Ajo që është e rëndësishme nga kjo mbledhje dhe do ta ndaja me gjithë publikun dhe familjen tonë politike është që një vijë e kuqe e cila është vendosur fort në Kongresin e Partisë dhe do të thellohet në vijimësi është që drejtoritë dhe punësimet nuk janë pronë e deputetëve, por e popullit shqiptar bazuar në kushtetutën e ligjet në fuqi. Ta kenë të gjithë të qartë që kjo është vija ndarëse që do të kalojë në një nivel tjetër cilësinë dhe qasjen e administratës shtetërore me publikun. Nëse në shërbimin civil rekrutimet kalojnë përmes konkursesh e kanalesh ligjore të DAP, të cilat janë procese me integritet dhe shumë njerëz kanë mundur të marrin atë që u takon, tek administrata kemi problematikë serioze të trashëguar. Kjo është e prerë” .
Në një deklaratë për mediat, Rama deklaroi se Partia Socialiste ka nisur punën për zgjedhjet e ardhshme. Në mbledhjen e Kryesisë së PS-së është vendosur hapja e partisë ndaj prurjeve të reja.
“Puna në territor do të zhvillohet për analizat e rezultateve qendër për qendër për të verifikuar cilësinë e përfshirjes së gjithë anëtarëve të PS-së në zgjedhje në raport me rezultatet dhe për ta hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria, pavarësisht moshës dhe për të krijuar një bazë të re për të ecur më tutje” . (A2 Televizion)