
Studiuesi Afrim Krasniqi komentoi në “Absolut 4” punën e deritanishme të SPAK dhe arritjet e saj që nga ngritja e strukturës.
Ndonëse e vlerësoi si një ndër institucionet e reja të drejtësisë më të suksesshme, Krasniqi deklaroi se ai nuk përbëhet nga njerëzit më të aftë, por veç nga ata që u gjendën në momentin e duhur dhe që kishin kaluar vettingun vetëm me letra.
“Unë mendoj se ky është produkti i një keqkuptimi të madh publik. Ne kemi menduar që të gjitha sherret e këtij vendi, të gjitha rastet korruptive, të gjithë njerëzit që kanë bërë krime, do të përgjigjen një ditë përpara SPAK dhe të gjithë i kemi drejtuar me gisht si në parlament që çështja do të përfundojë në SPAK. Por në fund të fundit SPAK është një produkt i një reforme, në një moment të caktuar, vetëm i individëve që kishin kaluar vettingun me letra. Domethënë që nuk janë njerëzit më të aftë të Shqipërisë, por janë njerëzit që u gjendën në momentin e duhur dhe sot që ne flasim nuk është plotësuar tërësisht si strukturë.
Megjithatë, nëse ka institucion në sistemin e ri të drejtësisë që personalisht besoj se është më i miri, më i ndershmi dhe më me integritet dhe që po bën diçka kundër krimit, është SPAK-u. Është e vetmja strukturë që po bën disa hapa konkrete. Deri diku ata po japin maksimumin që po jep ky lloj niveli i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Merrni shikoni faqen e tyre, ata e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në konferenca”, deklaroi Krasniqi. (A2 Televizion)