
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur gjatë prezantimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, tha se të gjithë drejtorët kanë mbështetje të plotë politike, por shtoi se ka edhe “drurë të shtrembër” që duhen prerë.
“Kemi vendosur një raport respekti, besimi dhe të bazuar te mbështetja e plotë politike e të gjithë drejtuesve të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ky është fakti, ashtu siç është fakt që ka drurë të shtrembër, shtrembësia e të cilëve ka rënë në sy sidomos në periudhën e fundit, që duhen prerë”, tha kreu i qeverisë.
“Ka ende për të bërë, për ta ngritur këtë trupë aty ku duhet. Policia vazhdon t’i paguajë kusure një drejtësie të kalbur e të korruptuar, që po pastrohet hap pas hapi nga lart-poshtë, por poshtë, aty ku merren vendimet e përditshme, është e mbytur nga llumi. Ka shumë raste ku policia ka harxhuar kohë dhe energji për të arrestuar ata që gjykatat u kanë rrahur shpatullat”, shtoi Rama. (A2 Televizion)