
Konferencën e përbashkët për shtyp me homologun shqiptar kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, e nisi fillimisht duke komplimentuar kryeministrin Edi Rama, për të vijuar me procesin e integrimit dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Në fjalën e tij, Sachenz e cilësoi Ramën një politikan të madh që ka bërë hapa të rëndësishëm të Shqipërisë në planin ndërkombëtare.
“Edi Rama si shok i PS-së, është një nga politikanët më të shkëlqyer që unë si shef qeverie në vitet e mia kam takuar. Jo vetëm sesi shprehet, por edhe angazhimet dhe për formën me të cilën ai bën politkë që janë hapa shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në planin ndërkombëtar. Unë i jam mirënjohës. Nuk është kompliment, por unë e besoj vërtet dhe i uroj shqiptarët që kanë këtë kryeministër”.
Duke theksuar se pushtimi rus në Ukrainë ka prekur të gjithë kombet, Sanchez theksoi nevojën për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa situatën e krahasoi me vitet ’80, kur Europa nuk mund të perceptohej pa Spanjën e Portugalinë.
“Në vitet ‘80 të shekullit të kaluar nuk mund të perceptohej Europa pa futjen e Portugalisë e Spanjës. Tani është e njëjta situatë; BE-ja nuk mund të kuptohet pa Ballkanin Perëndimor. Është e mirë ideja për këtë komunitet politik europain për ta vendosur në nivel më të lartë politik dhe në formate fleksibël. Ne e shohim me interes këtë dinamikë që mund të gjenerohet nga BE-ja dhe mund të futet në BE që të flasim për çështje politike të përgjithshme si pandemia dhe kriza energjetike. Bashkimi nuk është thjesht një klub vendesh të zhvilluara, por komunitete vlerash dhe parimesh duke respektuar drejtësinë, integritetin. Ne kemi nevojë për rregulla të përbashkëta për të arritur të njëjtat qëllime. Agresioni rus ka provokuar e shkaktuar shumë probleme, amulli dhe pasiguri për furnizimin e energjisë elektrike si inflacioni rritja e çmimeve. Është e rëndësishme që vendet europiane të jemi të bashkuar dhe vendosur në vlerat tona dhe integritetin territorial”.
Ai inkurajoi Shqipërinë që të vijojë me reformat për përmirësimin e jetës së vendit dhe afrimin në BE, ndërsa kërkoi një perspektive mesdhetare të procesit të integrimit europian.
“Shqipëria ka një rrugë të gjatë që ka ecur dhe ka treguar dëshirën e madhe për t’u bërë anëtare e Europës dhe ne i inkurajomë të vazhdoni reformat që do t’ju afrojnë me BE-në dhe përmirësimin e jetës në vendin tuaj. Është shumë e rëndësishme që t’i japim një perspektivë mesdhetare procesit të integrimit europian dhe në këtë drejtim, të dyja vendet mund të bëjmë shumë. Pjesëmarrja e Ramës në Madrid tregoi që aleanca jonë doli shumë e fortë”.
Sa u takon marrëdhënieve dypalëshe, ai foli për forcimin e tyre në aspektin gjyqësor dhe sektorë të ndryshëm.
“Të forcojmë marrëdhëniet mes dy vendeve në sektorë të ndryshëm, infrastrukturë, turizëm dhe atë energjetik. Të forcojmë marrëdhëniet gjyqësore për të zhvilluar operacione policore të përbashkëta. Ne aprovuam marrëveshje ekstradimi që është në fuqi”.
Kryeministri spanjoll mbylli në Shqipëri turnin rajonal në Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)