
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka reaguar për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë. Në emër të Grupit, Enkelejd Alibeaj shprehet se mbështet hapat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës dhe po ndjek situatën e krijuar në veri të Kosovës si pasojë e provokimeve nga strukturat paralele serbe. Ai thekson se PD-ja do të jetë në çdo kohë në krah të Kosovës në rrugën e konsolidimit të shtetësisë dhe të pavarësisë, si dhe në ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajon.
“Partia Demokratike mbështet institucionet e Kosovës në ruajtjen e rendit dhe të ligjshmërisë në të gjithë territorin e saj. Partia Demokratike mbështet rrugën e Kosovës në konsolidimin e shtetësisë dhe sovranitetit të saj.
Partia Demokratike ndjek me vëmendje situatën e krijuar në veri të Kosovës si pasojë e provokimeve nga strukturat paralele serbe. Partia Demokratike duke mbështetur vullnetin e institucioneve të Kosovës, duke nxitur bashkërendimin me partnerët tanë strategjikë do të jetë në çdo kohë në krah të Kosovës në rrugën e konsolidimit të shtetësisë dhe të pavarësisë, si dhe në ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajonin tonë”, shkruan Alibeaj. (A2 Televizion)