
Nga Korça, kryeministri Edi Rama është shprehur se një nga objektivat kryesore është shndërrimi i sportit dhe veçanërisht i futbollit, në një motor për zhvillimin turistik dhe ekonomik. Kësisoj, thënë ndryshe, Rama tha se plani është zhvillimi i infrastrukturës sportive në mënyrë që skuadra të njohura europiane të vijnë dhe të zhvillojnë seancat përgatitore në Shqipëri.
“Është ambicia për të transformuar sportin dhe futbollin në radhë të parë, në një mundësi të shtuar për turizmin duke ofruar infrastrukturë dhe logjistikë për skuadrat e huaja që të vijnë të stërviten në Shqipëri. Unë besoj që Korça mund të jetë e para në këtë rrugë të re, me këto zhvillime të reja që të ofrojë mundësi optimale për skuadra europiane që të kalojnë periudhën e tyre përgatitore këtu, duke sjellë një vlerë të shtuar ekonomike dhe financiare për qytetin”.
Kryeministri Edi Rama
Ai shtoi se në fokus do të jenë edhe fëmijët, duke theksuar se do të shtohen terrenet sportive që të mund të jenë të aksesueshëm për të gjithë, nga zonat rurale edhe në ato urbane. Për këtë, tha se financat nuk janë një problem, por duhet një koordinim i mirë mes institucioneve.
"Elementi i parë është financimi së bashku me Federatën i gjithë infrastrukturës mbështetëse të futbollit që janë pikërisht ato fushat e stërvitjes apo fushat e lojës së futbollit për më të vegjlit. Këtu besoj që me mbylljen e zgjedhjeve vendore dhe me rifillimin e punës së të gjitha bashkive do të duhet një koordinim më i mirë dhe do të duhet një bashkëpunim më i ngushtë sepse në këtë rast nuk kemi problem financimin, kemi problem koordinimin me pushtetin vendor për të vënë në dispozicion terrene të përshtatshme dhe që bëjnë sens në aspektin e gjithë rrjetëzimit të sistemit për të mbuluar të gjithë Shqipërinë dhe për të mbuluar të gjitha komunitetet me këtë infrastrukturë që të jetë e aksesueshme nga të gjithë fëmijët e Shqipërisë, kudo që ata janë, pavarësisht se janë në mes të qytetit apo në një njësi administrative periferike.
Kjo është shumë e rëndësishme në funksion të gjithë projektit tonë të sportit në shkolla, të sportit për fëmijët, ku me Federatën Shqiptare të Futbollit kemi realisht një potencial të madh zhvillimi dhe progresi që t’i bashkojmë të gjitha forcat".
Kryeministri Edi Rama
Këtë deklaratë, Rama e bëri në finalen e Konkursit Ndërkombëtar për Projektin Stadiumit “Skënderbeu”, për një Qendër e Re e Korçës, ku u prezantuan 3 finalistët. (A2 Televizion)