Begaj apel politikanëve në Shkup, Presidenti: Të bëhen bashkë për gjuhën shqipe

Nga Fjorela Beleshi
21 Nëntor 2026, 19:40 | Politikë

Në prag të Ditës së Alfabetit, Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj nga trevat shqiptare.

Gjatë takimit, Begaj u ndal edhe te çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe ligji duhet të zbatohen edhe në praktikë.

 “Ju besoj e dini se Presidenti i Shqipërisë mbajti një fjalë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk ishte thjesht një formalitet. Ishte një mesazh për të treguar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë në tokën e tyre, në vendin e tyre dhe kanë të drejtat e tyre, të drejta të cilat duhen mbrojtur. Jo pa qëllim bëra edhe një vizitë në Universitetin e Tetovës, ku u takova me një përfaqësi të studentëve që protestonin.”

Për gjuhën shqipe dhe çështjen kombëtare, Begaj përcolli një apel për bashkim të përfaqësuesve politikë shqiptarë. “Duhet që të gjithë shqiptarët, që janë përfaqësues të shqiptarëve në qeveri apo në opozitë, të bëhen bashkë për këtë çështje. Nuk ka çështje më të madhe se kjo.”

Presidenti solli si shembull edhe komunitetin arbëresh në Itali, i cili ka ruajtur ndër shekuj gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos