Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i ftuar në emisionin “Terminal” nga Loneta Progni në A2CNN, ka komentuar përplasjet mes Partisë Demokratike dhe lëvizjes “Shqipëria Bëhet” lidhur me bashkëpunimin në zgjedhjet lokale të 9 majit.
Kume u shpreh se opozita duhet të gjejë një formulë të përbashkët bashkëpunimi për të gjitha njësitë vendore, duke lënë mënjanë kushtet dhe interesat e veçanta të partive. Sipas tij, në të kundërt, opozita rrezikon të humbasë të gjitha bashkitë.
Ai theksoi se bashkëpunimi mund të marrë forma të ndryshme, përmes kandidatëve të partive apo edhe kandidatëve të pavarur, por synimi duhet të jetë i përbashkët: fitorja në garën për kryetar bashkie.
“Nuk ka asnjë lloj arsyetimi, le të vijë kush të dojë, të thotë të na bëjnë këtë, pa të bëjmë atë! Jo çdo parti në zgjedhjet lokale nuk e humbet identitetin e saj në garën zgjedhore, sepse garon me siglën e saj për këshilltarët dhe nëse duan pastaj të bëhen të gjithë bashkë...se në të kundërt nuk e fitojnë dot kurrë, asnjë bashki s’do marrim, të 46-ta do t’i marrë Rama, nëse këta do të jenë të shpërndarë. Për më tepër, mos harrojmë një nuancë shumë të rëndësishme që ka deklaruar sot Berisha, në bashkëbisedim me qytetarët, në të 46-ta njësitë vendore të kemi të njëjtën formulë bashkëpunimi, diku mund të jetë një përfaqësues bashkie, diku një i pavarur, e kështu me radhë. S’ka dallime ideologjike, secili ka ideologjinë e tij, hajde bëhemi bashkë të bëjmë fitoren e madhe. Nuk duhet të vendosë asnjë kusht, asnjë parti, por të gjitha partitë e opozitës, bashkë me qytetarët, duhen të bëhen bashkë që të sigurojnë fitoren, në garën për kryetarin e bashkisë”.
Duke iu drejtuar avokates Prethi, përfaqësuese e “Shqipëria Bëhet”, Kume tha: “Nëse ju diskutoni në të tilla plane, asnjëherë s’keni për t’u bërë bashkë në zgjedhje. Në zgjedhjet lokale forcën e tregoni me këshillat bashkiakë”. (A2 Televizion)