
Një anije mallrash ruse, e cila ishte nisur drejt enklavës ruse të Kaliningradit në Detin Baltik, është goditur nga një sulm me dron në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, njoftojnë autoritetet ruse dhe finlandeze.
Anija, e quajtur “Sparta II”, mori flakë pas sulmit të së shtunës në mëngjes, përpara se të zhvendosej drejt ujërave territoriale të Finlandës. Forcat e Mbrojtjes finlandeze deklaruan se sulmi ka të ngjarë të jetë kryer nga Ukraina. Kievi ende nuk ka reaguar lidhur me ngjarjen.
“Lufta po shtrihet edhe në afërsinë tonë të drejtpërdrejtë”, deklaroi kryeministri finlandez Petteri Orpo, duke shtuar se “Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresorit”.
Guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, tha se, sipas informacioneve paraprake, në sulm ishin përdorur dy dronë. Megjithatë, ai theksoi se nuk kishte “asnjë kërcënim” për furnizimin e territorit.
Anija “Sparta II” është vendosur nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2022 dhe nga Ukraina në fillim të këtij viti.
Sipas qeverive amerikane dhe ukrainase, ajo operohet nga një kompani ruse.
Në faqen e saj zyrtare, kompania deklaron se është krijuar në vitin 2011 në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë dhe se, që prej vitit 2015, operon në sektorin e ndërtimit ushtarak.
Roja Bregdetare e Finlandës bëri të ditur se ishte njoftuar për sulmin rreth orës 08:50 me orën lokale (06:50 GMT) të së shtunës. Anija e mallrave ishte lokalizuar rreth 50 kilometra në perëndim të ishullit Suursaari, në Gjirin e Finlandës.
Pas incidentit, autoritetet kufitare finlandeze vendosën përkohësisht kufizime në trafikun ajror dhe atë detar në zonën përreth. (A2 Televizion)