Mes 10 më të kërkuarve nga FBI, arrestohet “El Chapo Isidro”, përplasje e dhunshme me armë në Sinaloa

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2026, 20:35 | Bota

Mes 10 më të kërkuarve nga FBI, arrestohet “El Chapo

Ushtria meksikane ka arrestuar një person të dyshuar si trafikant droge, i cili ishte pjesë e listës së 10 personave më të kërkuar nga FBI-ja. Arrestimi shkaktoi përplasje të dhunshme me armë zjarri në shtetin e Sinaloas, duke detyruar tifozët të largoheshin me panik nga një ndeshje bejsbolli të premten.

Ministria e Mbrojtjes e Meksikës njoftoi se Fausto Isidro Meza-Flores, i njohur si “El Chapo Isidro”, drejtues i kartelit Los Mazatlecos, me bazë në Sinaloa, u arrestua me ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Ambasadori amerikan në Meksikë dhe Agjencia Kundër Drogës (DEA) konfirmuan se shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës nga SHBA-ja ndihmoi në lokalizimin dhe kapjen e tij.

Operacioni u krye nga “forcat elitë ushtarake”, të cilat përdorën taktikat e fshehtësisë dhe të befasisë për të mbërritur te objektivi, bëri të ditur ministria në një postim në rrjetin social X. Pas arrestimit, Meza-Flores u transportua drejt kryeqytetit, Mexico City.

Sekretari i Sigurisë i Meksikës, Omar García Harfuch, njoftoi se gjatë të njëjtit operacion u arrestuan edhe dy persona të tjerë, të dyshuar si anëtarë të organizatës kriminale.

Mes tyre janë Germán “N”, i njohur me pseudonimin “Serafín”, i cili dyshohet se ishte krahu i djathtë i drejtuesit të kartelit, si dhe José “N”, i dyshuar si personi përgjegjës për financat e organizatës.

Ambasadori i SHBA-së në Meksikë, Ronald Johnson, deklaroi në një postim në rrjetet sociale se “shkëmbimi strategjik i informacioneve të inteligjencës mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës” ishte një element kyç në arrestimin e tij.

“Kartele terroriste dhe kriminelët do të dalin para drejtësisë. Së bashku do t’i bëjmë të dyja vendet tona më të sigurta”, deklaroi Johnson.

Sipas një njoftimi të FBI-së për personat në kërkim, Meza-Flores dyshohet se është përgjegjës për posedimin, shpërndarjen dhe importimin në Shtetet e Bashkuara të sasive të mëdha të heroinës, metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe marijuanës.

FBI-ja kishte ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për çdo informacion që do të çonte në arrestimin e tij.

Ai ishte akuzuar më parë, në vitin 2019, për shkelje të ligjeve kundër trafikut të drogës dhe për posedim të armëve të zjarrit. Ndërsa në vitin 2012, ndaj tij ishin ngritur gjithashtu akuza për trafik droge. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos