“NATO do mbrojë çdo pëllëmbë të territorit”, Rutte reagon pasi raketave dhe dronit që ranë në Poloni

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2026, 22:22 | Bota

“NATO do mbrojë çdo pëllëmbë të

NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak. Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij në Varshavë, një ditë pasi Polonia njoftoi se Rusia kishte shkelur hapësirën e saj ajrore me tre objekte, që dyshohet se ishin dy raketa dhe një dron.

“Ju garantoj se NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit polak”, deklaroi Rutte, raportoi të shtunën Agjencia Polake e Shtypit (PAP).

Sipas PAP, kreu i forcave të NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, do të bëjë gjithçka të nevojshme për të identifikuar çdo kërcënim ndaj kapaciteteve mbrojtëse dhe parandaluese të Aleancës, si dhe do të ndërmarrë përshtatjet e duhura nëse do të jetë e nevojshme, tha Rutte.

Shkelja e hapësirës ajrore ndodhi në një kohë kur Polonia po priste stërvitje ushtarake ku merrnin pjesë vendet e koalicionit që përfshin aleatët e Ukrainës. Zyrtarët polakë e cilësuan këtë përkim si jo të rastësishëm.

Ndërkohë, të hënën në Bruksel do të zhvillohet një takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s, ku do të diskutohet shkelja e hapësirës ajrore polake nga raketat ruse, raportoi gjithashtu PAP të shtunën.

“Në të ardhmen e afërt, do të marrim mbështetje të fortë nga aleatët tanë në NATO për të përforcuar mbrojtjen e kufirit tonë lindor”, shkroi të shtunën në rrjetin social X ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, duke komentuar takimin e organit të NATO-s.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos