
Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta kanë reaguar në lidhje me tërmetin e rënë sot në Kroaci, ku janë raportuar deri më tani 6 viktima dhe dëme të shumta materiale.
Kreu i qeverisë shqiptare i ka shprehur solidaritetin presidentit dhe kryeministrit kroat për këtë fatkeqësi, dhe premton dhënien e ndihmës modeste për këtë situatë.
“U kam përcjellë sot shprehjen e solidaritetit vëllazëror Presidentit Milanoviç&Kryeministrit Plenkoviç, për fatkeqësinë mbi qytetin Petrinja! Shqipëria i është pranë me zemër Kroacisë mike e do të japë ndihmën e saj modeste për shërimin e plagës së hapur nga tërmeti i fortë”, shkruan Rama në Twitter.
Edhe presidenti Meta në postimin e tij në rrjetet sociale shpreh solidaritetin me popullin dhe autoritetet kroate. Ai thotë se Shqipëria do të jetë pranë Kroacisë me të gjithë kapacitetet e mundshme, si partnerë strategjikë.
“I trishtuar nga tërmeti i rëndë, që goditi sot Kroacinë mike! Solidaritet njerëzor me popullin dhe autoritetet kroate, me urimin për ta përballuar me të gjithë forcën këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen e familjeve, që kanë humbur të dashurit e tyre.
Pranë Kroacisë, me të gjithë kapacitetet tona të mundshme, si partnerë strategjikë, krah për krah në çdo sfidë”, shkruan Meta. (A2 Televizion)