Fushata e imunizimit në Greqi, liderët politikë e fetarë marrin të parët vaksinën

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2020, 11:18 | Ballkani
Fushata e imunizimit në Greqi, liderët politikë e fetarë

Liderët shtetërorë dhe fetarë në Greqi, morën dozën e parë të vaksinës së Pfizer dhe Biontech të dielën, në ditën e parë të fushatës së imunizimit në masë në Bashkimin Europian, e pagëzuar edhe si, "fillimi i fundit të pandemisë".

Më herët, kryeministri dhe presidenti grek, u vaksinuan në publik, për të përcjellë mesazhin se vaksina është e sigurt dhe efektive.

“Shkenca bëri punën e vet dhe ne duhet të bëjmë tonën tani”, u shpreh shefi i shtabit të Mbrojtjes Kombëtare, Kostantinos Floros.

Maria Theodoridou, shefe e Komisionit Kombëtar të Vaksinimit, ishte gjithashtu mes të parëve që u vaksinua. “Sot, është një ditë gëzimi për të gjitha vendet që po nisin programin e vaksinimit, pasi shënon fillimin e fundit të pandemisë”, u shpreh ajo.

Ish-ministri i financave, Janis Varufakis, e cilësoi vaksinën si zgjidhjen e duhur për të gjithë, por tha se ndihej pak në turp, që për disa muaj vetëm pak njerëz do të mund ta merrnin atë.

Si pjesë e programit, që Greqia e ka pagëzuar me emrin "Liria", prioritetin e kanë fillimisht, stafi i spitaleve dhe punonjësit shëndetësor në qendrat e kujdesit afatgjatë. Një infermiere dhe një pensionist ishin dy personat e parë që morën dozën e parë të vaksinës së Pfizer dhe Biontech në Greqi. Autoritetet thanë se deri në fund të dhjetorit pritet të sigurohen afërsisht 84 mijë vaksina. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos