
Kryeministri Edi Rama kritikoi Kosovën për refuzimin e pjesëmarrjes në samitin e Mini Shengenit Ballkanik, të zhvilluar këtë herë në Tiranë, pas dy takimeve të mëparshme në Novi Sad dhe Ohër. Ai e quajti Kryeministrin në ikje të Kosovës, Haradinaj, gënjeshtar, duke thënë se nuk ka asnjë kusht ndaj Kosovës për të marrë pjesë.
“Haradinaj është një gënjeshtar dhe vazhdon të gënjejë. Nuk e di nëse e bën nga padija, por është gënjeshtar”, tha Rama në një prononcim për mediat pas mbylljes së samitit.
Më parë, gjatë konferencës së përbashkët me liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, Rama tha se nisma nuk është përjashtuese për askënd, është gjithëpërfshirëse, është e hapur, nuk i imponohet askujt dhe nuk imponohet nga askush. I kemi bërë ftesë të gjithëve të marrin pjesë. Më lejoni ta them hapur, se për mua, refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës është i pakuptueshëm dhe i dëmshëm për vetë Kosovën”, tha Rama.
“Ne jemi këtu për të ndërtuar urën mes të shkuarës që na ndan dhe të ardhmes që na bashkon. Bindja ime e thellë është se i gjithë ky proces është në koherencë të plotë me angazhimin e çdo vendi për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Plagët e të shkuarës nuk kurohen me helm dhe acid, por me ilaçe, dhe ilaçet nuk jemi të ftuar që t’i shpikim, por të shohim se si kanë funksionuar në realitete të ngjashme”, shtoi Kryeministri.
Rama tha se hapja e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës përsëritet prej 30 vitesh sa herë që ka zgjedhje. “Por kufijtë nuk mund të hapen dot. Jo sepse çohen në Beograd, por sepse çohen në Uashington, në Bruksel. Ndërsa me këtë nismë ne po themi të hapen të gjithë kufijtë dhe Kosova nuk është e përjashtuar”, tha Rama. “Kjo që po bëjmë nuk është për pushtet dhe vota, nëse do ta bënim për pushtet dhe vota nuk do të ishim këtu sot. Kjo bëhet për të ardhmen, për njerëzit e zakonshëm”.
Kryeministri falënderoi Presidentin serb, Vucic, atë malazias Dukanovic dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zaev, për mbështetjen ndaj Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Shpreh mirënjohjen për solidaritetin e shprehur nga të gjithë liderët e pranishëm për të prekurit nga tërmeti. I jemi mirënjohës të gjithë grupeve të shpëtimit dhe individëve që erdhën nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, për të ndihmuar shqiptarët. Jemi të gjithë të detyruar të kapërcejmë të shkuarën dhe të ndërtojmë një të ardhme të denjë në paqe dhe prosperitet”, tha Rama.
Kryeministri tha gjithashtu se vendet e përfshira në këtë nismë kanë rënë dakord me Komisionin Europian dhe Bankën Botërore për të krijuar një hartë të zhvillimit të pritshëm nga kjo nismë. “Çdo gjashtë muaj do të bëjmë një bilanc të arritjeve. Çdo vend që përfshihet përfiton”, tha Rama. “Komisioni Europianë do të japë 1,2 miliardë euro në formë granti për vendet tona në funksion të zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Janë grante, jo kredi”. (A2 Televizion)