
Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar veprimin e tij për të mbledhur fletët e grisura të votimit për kryetaren e Kuvendit nga Partia Demokratike, në shenjë proteste në Parlament. Përmes një statusi në Facebook Rama apelon për respekt ndaj mjedisit, por thekson se hedhja përtokë e mbeturinave nuk është mesazh politik, gjest civil apo shprehje njerzillëku.
“Mjedisi nuk është as i majtë as i djathtë dhe respekti për mjedisin është në radhë të parë respekt për veten, për njëri-tjetrin, për fëmijët tanë. Hedhja e mbeturinave përtokë mu në dyshemenë e Kuvendit, kur njerëzit ndjekin ditën e parë në punë të përfaqësuesve të tyre, nuk është as mesazh politik, as gjest civil, as shprehje njerzillëku”, shkruan Rama krah videos së shpërndarë në Facebook. (A2 Televizion)