Rama takon Von der Leyen: Presidentja me plan të qartë për negociatat

Nga A2 CNN
29 Janar 2020, 11:09 | Politikë
Rama takon Von der Leyen: Presidentja me plan të qartë për

Kryeministri Edi Rama përmes një video-mesazhi në faqen e tij të Facebook-ut dha detaje rreth takimi të zhvilluar një ditë më parë me presidentin e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.

Kreu i qeverisë tregon se bisedoi me shefen e KE rreth Konferencës së Donatorëve që pritet të mbahet në Bruksel për të ndihmuar Shqipërinë për të përballuar pasojat nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas Ramës, presidentja shprehu angazhimin për të ndihmuar vendin tonë në këtë proces të vështirë.

“Ishte një bisedë që kishte një pjesë të madhe informative për situatën pas tërmetit që nga familjet e prekura, tek raporti i dëmeve që po bëhet bashkë me ekspertët, masterplani i rindërtimit, kalendari i procesit dhe plani ynë i financimit të këtij aksioni masiv që nga dëmet tejkalon mundësitë tonë. Presidentja i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj ngjarje që në ditën e parë të tërmetit dhe takimi i mbrëmshëm ishte konfirmim për angazhimin e saj për të mbështetur operacionin e rindërtimit. Ne e dimë mirë që shuma e mundshme që mund të mblidhet nga ajo Konferencë nuk do t’i përmbushë të gjitha nevojat. Plani i presidentes Von Der Leyen shkon përtej konferencës”, deklaroi Edi Rama.

Më tej, kryeministri Rama u shpreh se bisedoi me Ursula von der Leyen dhe për procesin e integrimit. Kreu i mazhorancës tha se presidentja ka një strategji konkrete për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Temë diskutimi ishte dhe përshpejtimi i procesit të integrimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E sigurt që presidentja ka një strategji konkretet për objektin e çeljes së negociatave. Është e sigurt që përsëri fati i vendimit mbi çeljen do të varet mbi ecuria e debatit të brendshëm të BE. Presidentja e sheh me entuziazëm përpjekjen për ta çuar para procesin e Berlinit përmes marrëveshjeve që do të çojnë në lehtësimin e të gjithë lëvizjes në rajonin tonë dhe finalizimin e Shengenit në Ballkan dhe BE do të luajë rolin e saj për këtë gjë qoftë dhe financiarisht”, përfundon kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos