
“Dosja 184”, e cila ka si objekt hetimi shit-blerjen e votës në Dibër, do të hetohet nga kjo prokurori. Konfirmimi vjen për A2 nga burime zyrtare të Prokurorisë së Posaçme.
Më datën 27 janar, SPAK vendosi të shpallë moskompetencën, duke mos pranuar asnjë akt hetimor për të dhe ka vendosur ridërgimin e dosjes në Dibër, edhe pse kjo e fundit kishte shpallur moskompetencën para 5 ditësh, më 22 janar.
Jehona për dosjen u bë më e fortë në kulmin e krizës politike në vend, ndërsa tabloidi gjerman “BILD” publikoi përgjimet audio, ku përfshiheshin emrat e ministrave, deputetëve socialistë, zyrtarëve vendorë dhe të policisë lokale.
Në komunikimet e tyre flitej për sigurim votash për fitoren e Bashkisë së Dibrës përmes pagesave të zgjedhësve, presionit për vendin e punës, pengimin e votuesve, deri tek përgëzimet finale pas rezultatit të fitores. Por, në shtator dosja do zhvendosej nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Dibrës, e cila kërkoi tre muaj kohë për hetime. Por, para 5 ditësh ajo shpalli moskompetencën duke ia kthyer SPAK-ut mbrapsht dosjen. Nga një debat i fundit mes prokurorësh, arsyeja gjendet në legjislacion, ku nuk flitet specifikisht për krim elektoral. Kjo u konstatua dhe në një debat të fundit mes prokurorëve.
Neni 75/a i Kodit Penal, përcakton kompetencat e gjykatës dhe prokurorisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku shitblerja e votës nuk përfshihet në këto kompetenca. (A2 Televizion)