
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ishin të pranishëm në Samitin e Nivelit të Lartë Parlament Europian-Ballkan Perëndimor, në Bruksel.
Samiti u organizua dhe kryesua nga Presidenti i PE, David Maria Sassoli dhe në të morën pjesë kryetarët e parlamenteve të vendeve të BP, kryetarët e grupeve parlamentare të PE dhe reporterët e PE për BP. Ruçi dhe Balla e filluan ditën me takimin me Raporteren për Shqipërinë, Isabel Santos dhe më pas me bashkë-Kryetarin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri Manolis Kefalogiannis.
Gjatë takimeve u nënvizua se Parlamenti Europian nuk tërhiqet nga pozicioni i palëkundur për të filluar menjëherë gjatë presidencës kroate bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli Europian në fund të muajit Mars duhet të hapë dritën jeshile për të dy vendet.
Për të rikonfirmuar këtë qëndrim të legjislativit europian, Presidenti i Parlamentit, David Sassoli organizoi sot këtë Samit. Ashtu si edhe në Këshillin Europian në tetor të vitit të kaluar, shumica e vendeve anëtare mbështesin fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioni Europian, i cili ka monitoruar nga afër detyrat e shtëpisë për secilin prej vendeve, ka raportuar në Këshill dhe në Parlamentin Europian se dy vendet kanë bërë hapa kurajozë dhe se e meritojnë të kalojnë në fazën finale drejt anëtarësimit.
Në fjalën e tij në Samit, kryeparlamentari Ruçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme që PE dhe personalisht Presidenti Sassoli u japin përpjekjeve të vendeve të rajonit për t’iu bashkuar familjes europiane. Ruçi rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë drejt destinacionit europian dhe deklaroi se vendi ka vetëm një Plan A në rrugëtimin drejt të ardhmes, që është Bashkimi Europian. Asnjë Plan B nuk ekziston, as i hapur dhe as i fshehtë, as sot dhe as në të ardhmen.
Ruçi u kërkoi kryeparlamentarëve të BE-së të bindin qeveritë e tyre se Ballkani Perëndimor është një rajon europian dhe jo kufitar me Bashkimin Europian, se kufijtë kulturorë të Europës janë kufijtë e saj gjeografikë dhe se kufijtë politikë dhe ekonomikë ka ardhur koha të afrohen me ta, se Ballkani Perëndimor është një vlerë e shtuar dhe jo një problem i shtuar për Bashkimin Europian.
Gjatë ndërhyrjes së tij, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, nënvizoi se “Shqipëria nuk është dekurajuar nga rezervat dhe skepticizmi i disa vendeve anëtare, të cilëve u është kërkuar që, para se të shprehin qëndrimet e tyre, të vijnë në Shqipëri dhe të prekin nga afër rezultatet e problemet tona. Ne jemi të vendosur në destiancionin tonë europian dhe nuk kemi plan tjetër, as të hapur, as të fshehtë, as sot, as në të ardhmen”. (A2 Televizion)