3 mandate të fituara radhazi, u dhanë socialistëve lavdinë e shumëkërkuar, për të qenë partia e parë në historinë e pluralizmit shqiptar që fiton të drejtën për të qëndruar në pushtet 12 vjet.
Mandati i tretë, natyrshëm vjen me sfidën e emrave që Kryeministri do zgjidhte për kabinetin qeveritar, në kushtet e një konsumimi prej tetë vitesh jo të lehta dhe një bilanci të mangët në raport me premtimet e 2013-ës.
Por kush do t’i çojë përpara reformat për të cilat u kërkua mandati i tretë, bashkë me objektivin për të katërtin, në kuadër të atij që u shpall si “Vizioni 2029”, “Rama 3” erdhi me një mazhorancë emrash pa përvojë në tryezën e kabinetit, 12 prej të cilëve gra dhe 5 meshkuj. Por për objektivat kryesore, Infrastrukturë dhe Energji, Shëndetësi, Arsim, Rend, Mbrojtje dhe Politikë të Jashtme, Rama konfirmoi besimin te Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Evis Kushi, Bledi Çuçi, Olta Xhacka dhe Niko Peleshi.

Firmën si zv/kryeministër nuk do ta hidhte më Erjon Braçe, por Arben Ahmetaj, i cili duhet të çonte para dhe Rindërtimin pas tërmetit të 2019-ës. Prioriteti mori fund këtë korrik, kur vendin e Ahmetajt e mori Belinda Balluku, teksa dukshëm fokusi i qeverisë është përqendruar në infrastrukturë dhe, veçanërisht në energjetik. Për këtë të fundit, paralajmërimi u dha herët, ndoshta duke u shpallur dhe si sfida e mandatit që nuk po ndikohet vetëm nga zhvillimet vendase, por dhe atyre ndërkombëtare. “Nga lufta vijmë, në luftë po shkojmë”, tha Rama duke e krahasuar krizën e energjisë me pasojat e tërmetit dhe pandemisë.
Nga pikëpamja e betejës politike, socialistët vijuan qeverisjen të pashqetësuar, deri në mes të muajit dhjetor, kur përfundoi në burg Lefter Koka, ish-ministri i LSI-së në kabinetin “Rama 1” dhe i tërhequr si deputet socialist pas zgjedhjeve të 2021-shit, vetëm pak ditë para nisjes së legjislaturës së re. Akuzat për korrupsion me disa miliona euro prangosën ish-ministrin e Mjedisit për aferën e Inceneratorëve, fillimisht të Elbasanit e më pas të Fierit, ndërsa hetimet për Tiranën vijojnë. Pronarët e koncesioneve vijuan arratinë. E ndërsa pyetja që ngrihej ishte se kush e kishte radhën, qeveria mbronte impiantet e përpunimit të mbetjeve. Për abuzuesit qeveritarë përgjegjësia mbeti personale. Krenari dhe për efektet e drejtësisë së re.

Edhe impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve, që i kanë hapur rrugën e shpëtimit afatgjatë nga ndotja e rëndë e plehrave zonës së Elbasanit, Tiranës e Fierit gjithashtu, edhe Reforma në Drejtësi po se po, janë vepra të shumicës sonë qeverisëse, për te cilat unë jam e do të jem gjithnjë krenar, kështu që euforia baltosëse e atyre që bëjnë politikë me akuza e me moton shpif e shpif se diçka do mbetet, për arsye të ndalimit dje nga SPAK të ish-ministrit të Mjedisit, nuk më bën asnjë përshtypje, sepse nga njëra anë investimi në Elbasan është aty, në sytë e të gjithëve e në bazë të kontratës tanimë ai është pronë publike e Bashkisë së Elbasanit që do të shërbejë për të vazhduar mbrojtjen e zonës nga ndotja, ndërsa nga ana tjetër çështja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtësinë, nuk është as çështje politike, as çështje partiake, as çështje kolektive, por çështje individuale.
Edi Rama për Lefter Kokën, Twitter, 15 dhjetor 2021
Mes kërkesës së demokratëve për komision hetimor, dhe presionit publik, dimri po bëhej i vështirë për socialistët që në muajt e parë të mandatit të tretë. Debatit për inceneratorët iu mbivendos dhe skandali i nxjerrjes së databazës së pagave, duke rikthyer akuzat për sistemin socialist të patronazhimit në fushatën zgjedhore.
Demokratët, e përçarë që nga 9 shtatori i vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, si non grata në SHBA, nisën të vjelin disa fryte opozitarizmi. Nën hijet e një marrëveshjeje me ndërmjetësim ndërkombëtar, do të fitohej e drejta për hetim në Kuvend të inceneratorëve, ndërsa mazhoranca mori në këmbim votat për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut.
Ndërsa Struktura e Posaçme Antikorrupsion vijonte hetimet për tre kontratat e impianteve të mbetjeve, një maratonë dëshmish, përballë komisionit të drejtuar nga Jorida Tabaku, mori vëmendjen e opinionit publik, duke u paraprirë fillimisht me vizita tek inceneratorët.
Maratona e dëshmive të kryebashkiakëve, drejtorëve, ministrave, ish-ministrave deri tek Kryeministri shërbeu për të parë matjen e argumenteve, batutave dhe stilit të përballjes mes rivalësh, më shumë se sa krijoi një ide më të kthjellët se çfarë opozita kishte denoncuar edhe para këtij hetimi në Kuvend dhe kishte kallëzuar në organet e drejtësisë.
Në stilin që e karakterizon në përballje, Kryeministri kishte vetëm një mision: zhbërjen e shifrës prej 430 milionë eurosh që opozita e quan si shumë korrupsioni qeveritar me Klodian Zoton dhe Stela Gugalljen.
I vetmi që nuk dha asnjë shpjegim ishte deputeti socialist Alqi Bllako. “I kam thënë të gjitha në SPAK dhe kam porosi të mos flas”, tha Bllako. Ai u akuzua më pas për falsifikim dokumentesh për kohën kur ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit që drejtohej nga Lefter Koka.
“Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14 964 900 lekë”
Pjesë nga akuza e SPAK për Alqi Bllakon
Mazhoranca nuk bëri rezistencë. Bllako dorëzoi mandatin e deputetit për të zgjatur duart për pranga me gjithë zhdukjen për disa orë nga sytë e policisë. Por animi i peshores së drejtësisë drejt të vetëve, ia sosi durimin Kryeministrit Rama, siç vetë ai u shpreh fillimisht në kongresin e socialistëve, kur sulmoi Strukturën e Posaçme Antikorrupsion për veprim të paekuilibruar në radhët e politikës. Fakti se Sali Berisha po merrte drejtimin e Partisë Demokratike dhe mos veprimi i drejtësisë ndaj tij, edhe pse i shpallur non grata si i korruptuar, ishin të papranueshme.
E ndërkohë që politika ziente nga akuzat e ndërsjella për inceneratorët, drejtësinë dhe politikanët e korruptuar, situata gjeopolitike mori dominimin. Sfida të reja në horizont me krizë energjetike dhe ushqimore, për shkak të luftës që sapo kishte nisur në Ukrainë. Çmimet e karburanteve dhe të produkteve të shportës nisën rritjen pa frena, duke shkaktuar protesta para kryeministrisë të cilat nuk sollën rezultat tjetër veç ngritjes së dy bordeve që caktonin çmimet në treg. efekte protesta 12 mars
Teksa çmimet vijonin të larta, qeveria e kishte një argument për ta përdorur në favor. Që prej vjeshtës fokusi i qeverisë ishte zhvendosur te energjia elektrike për të mos rritur çmimin e saj, pavarësisht se në bursat ndërkombëtare vlerat ishin dhjetëfishuar. Përpjekja e mëvonshme për të rritur çmimin e energjisë mbi 800 kilowat, mbeti i paaprovuar, ndërsa ekspertët e ekonomisë reagimeve e lexuan si një tjetër vendim që do të prekte shtresën e mesme.
Lufta në Ukrainë u pa si një moment që do të ndryshonte rendin botëror, ndaj dhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut shpresonin në rënien e vetos bullgare për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Shqipëria provoi edhe të bënte presion me kartën e kërkesës për ndarje nga Maqedonia e Veriut, mbështetur dhe në rezultatet e Këshillit Kombëtar, proces që kryeministri Rama e përdori për të marrë një aprovim mes qytetarëve edhe për objektiva që nuk kishin funksionuar në dy mandatet e mëparshme, si amnistia fiskale apo legalizimi i kanabisit. Pas dështimit të parë në Këshillin Europian, një plan francez lëkundi me sukses Bullgarinë e cila tërhoqi veton. Mes vështirësish plani u aprovua dhe Maqedonia e Veriut, me këmbënguljen që t’i garantohej mbrojtja e identitetit dhe gjuhës.
Aprovimi nga Brukseli erdhi më 19 korrik, duke sjellë festë në dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Por u hap vetëm një derë tjetër në udhëtimin drejt familjes europiane, në një rrugë sfiduese për rezultatet që do të duhet të konfirmohen në çdo grupim kapitujsh. Negociatat për herë të parë sipas metodologjisë së re të zgjerimit janë dhe një proces i kthyeshëm nëse nuk përparohet.
Sfidë janë dhe nismat e amnistisë fiskale dhe kanabisit mjekësor. Për to qeveria mori shumicën e pro-ve në Këshillim Kombëtar, por ende gjen refuzim te ndërkombëtarët, nga frika se do përdoret për pastrim parash dhe cenim të konkurrencës së ndershme. Vëmendja e Brukselit ndaj Ballkanit Perëndimor është edhe më e shtuar teksa përpiqet të angazhojë vendet me tregun e përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Por tjetërkund është objektivi i kreut të qeverisë. Open Balkan duket se gjen një mbështetje më të fortë në Uashington se në vendet anëtare të BE-së. Nisma, së cilësi iu afrua tashmë ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, gjen ende refuzim kategorik në Kosovë. Megjithatë, brenda vitit kryeministrat Rama dhe Kurti realizuan dy mbledhje qeverish, duke duartrokitur për rezultatet e arritura e duke paralajmëruar mbledhjen e radhës në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor.

Festimet do të vijnë edhe me një presidencë të re, të drejtuar nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj. Socialistët nuk shkarkuan dot Ilir Metën edhe me Gjykatë Kushtetuese, por të rikthyerin në politikë sapo dorëzoi mandatin e kanë në shënjestër pas disa gjetjeve të Autoritetit të Dosjeve: Disa nisma janë depozituar në Kuvend të cilat mbetet për t’u parë se sa do ta pastrojnë politikën nga bashkëpunëtorët e sigurimit apo funksionarët e regjimit komunist.
Sezoni i verës u mbyll me ndryshime në kabinetin qeveritar, ku Belinda Balluku mori dhe postin e zv.kryeministres, ndërsa Arben Ahmetaj, sipas Kryeministrit, e mbylli misionin e Rindërtimit. Një ministri shteti me fokus e negociatat e anstarësimit u krijua me Mjalinda Dhukën që i mori Zef Mazit dhe vendin e kryenegociatorit. Vjeshta paralajmërohet politikisht e nxehtë edhe për shkak të betejës për zgjedhjet vendore të 2023-shit, ku opozita do provojë të drejtojë dhe në pushtet vendor, pas braktisjes së garës së 2019-ës. (A2 Televizion)