Rama vijon fushatën në Pogradec, sulmon Bashën për takimet elektorale: Kujtojnë se jam xheloz për turmat

Nga A2 CNN
5 Prill 2021, 12:07 | Politikë
Rama vijon fushatën në Pogradec, sulmon Bashën për takimet

Nga Pogradeci, kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish  kreun e opozitës Lulzim Basha në lidhje me takimet e tij elektorale, ku shfaqen njerëz të grumbulluar që nuk mbajnë maska dhe nuk respektojnë distancimin social.

Kreu i qeverisë u shpreh se që procesi i vaksinimit të ketë efekt në ndërprerjen e zinxhirit të infektimeve duhet të shoqërohet me respektimin e masave të thjeshta kundër pandemisë.

“Unë e kam përsëritur çdo ditë. Për fat të keq ka njerëz të cilëve ju duket kjo si politikë, por ka edhe më keq akoma që e mendojnë si shprehje xhelozie. Faktikisht nuk ka diskutim që çdo parti politike   dhe aq më shumë një parti si e jona mund të mbledhë njerëz masivisht, por është papërgjegjshmëri në kushtet kur vaksinimi është vërtetë një armë fatale kundër armikut të padukshëm, por nëse nuk shoqërohet me distancimin dhe nëse paralelisht nuk i bëjmë të dyja bashkë, vaksinim dhe distancim, sigurisht që vështirësojmë punën tonë, aq me tepër që janë para syve tanë shembujt e vendeve të tjera, ku për marshime elektorale janë humbur jetë njerëzish dhe janë plagosur shumë marshues. Nuk është kjo që duhet të ndodhë dhe nuk është kjo sjellja e një lidershipi politik i cilësdo force politike, që pretendon të këtë një zë dhe një vend në tryezën e vendimmarrjes së vendit. Kjo është thjesht papërgjegjshmëri”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos