
Ka zgjatur vetëm 50 minuta mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Mbledhja nisi rreth orës 18:00 dhe ishte një formë që socialistët kishin zgjedhur për të analizuar zgjedhjet për pushtetin vendor të 14 majit dhe po ashtu strukturën organizative të partisë.
Gazetarja e A2CNN, Fjorela Beleshi, e cila ndoqi nga afër punimet e Asamblesë bëri me dije se dy vendime të rëndësishme janë marrë gjatë mbledhjes.
Një prej tyre është emërimi i ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi si kryetar i Grupit Parlamentar të PS, duke realizuar kështu një ndërrim “kokë më kokë” me Taulant Ballën.
Lëvizja tjetër, është shkarkimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri, detyrën e të cilit do ta kryejë deri në shtator Blendi Klosi.
“Jemi në pritje që zoti Rama të flasë për gazetarët për ndryshimet që ka bërë në mbledhjen e Asamblesë. Ajo çfarë kemi mësuar, por këtë do të na i konfirmojë edhe vetë zoti Rama dhe shpresojmë që të jetë konfirmim ndryshe nga çka bëri përsa i përket shkarkimit të ministres Delina Ibrahimaj ka të bëjë që zoti Bledar Çuçi ka marrë pozicionin që ka lënë bosh Taulant Balla duke u ndryshuar kokë më kokë, duke u komanduar si kryetar i Grupit Parlamentar. Një tjetër lajm surprizë është largimi i zotit Damian Gjiknuri nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Është shkarkuar i gjithë sekretariati dhe është emëruar zoti Blendi Klosi deri në shtator”, zbuloi Beleshi.
Sipas saj në momentin kur ka dalë nga mbledhja e Asamblesë, Gjiknuri i shkarkuar nga posti i numrit dy të PS ka thënë: “Më mirë do të bëhet”.
Sakaq, një zhvillim tjetër është se kryeministri Edi Rama nuk ia ka mbyllur derën e Partisë Socialiste ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për shkak të akuzave që rëndojnë në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Rama ka vendosur të mos e shkarkojë Ahmetajn nga grupi parlamentar, ndryshe nga çfarë ka bërë në të shkuarën me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. (A2 Televizion)