Raporti final i OSBE-ODIHR, Vasili në A2: Më i rëndi në 30 vite, edhe në vitin 1992 ishte më pozitiv

Nga A2 CNN
27 Korrik 2021, 13:43 | Politikë
Raporti final i OSBE-ODIHR, Vasili në A2: Më i rëndi në 30

“Ka vetëm një lexim të raportit, ai lexim që evidenton qartë se në vitin 2021 kemi shitblerje masive të votës, që administrata shpërdoron miliona, dhunon, kërcënon dhe ky është një fakt, që të dhënat personale të rreth 1 milion personave janë pre e presionit dhe shantazhit politik. Në këtë mënyrë, kemi edhe një aktivizim të strukturave mafioze në mbështetje të Rilindjes. Kemi raportin më të rëndë që është parë në 30 vjet. Për t’iu kujtuar idiotëve të dobishëm të PS-së që bëjnë shejtan-budallanë, unë kam qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vitin 1992, ku ndodhte ndryshimi i sistemeve dhe zgjedhjet i organizonte Partia e Punës, e megjithatë nuk ndodhi asgjë nga këto. Ato zgjedhje, ai raport, po ta vendosësh përballë këtij raporti, në atë kohë kemi pasur një raport shumë herë më pozitiv se kjo shëmtirë që kemi në vitin 2021”.

Kështu e komentoi në A2 Petrit Vasili, nënkryetari i LSI, raportin final të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

https://a2news.com/2021/07/27/zgjedhjet-e-25-prillit-lsi-vlereson-raportin-e-odihr-si-vulosje-te-masakres-zgjedhore/

Vasili theksoi se institucioni i votës së lirë ka pësuar një goditje të tmerrshme. “Në vitin 2021, kur Shqipëria ka aspirata të forta për të hyrë në Europë, institucioni i votës së lirë ka pësuar një goditje të tmerrshme, gjë që nuk e ka pësuar as në momentet më të vështira të pluralizmit të saj”, u shpreh më tej Vasili.

Sa i përket reformës zgjedhore, Vasili u shpreh se presioni do të jetë mbarëpopullor, pasi reforma brenda zyrave nuk funksionon.

“Sensibiliteti është mbarëpopullor dhe presioni do të jetë mbarëpopullor sepse vetëm një presion i tillë mund të krijonte premisa për një reformë zgjedhore. Një reformë zgjedhore brenda zyrave u provua që nuk funksionon, pasi shkelja e saj në të gjitha pikat është fakt. Presioni mbarëpopullor sigurisht dhe me rrugën politike do të shkojnë së bashku dhe jo të ndara”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos