Raporti për zgjedhjet, Patozi: OSBE/ODIHR-i duhet të shpikë një gjuhë të veçantë

Nga A2 CNN
27 Korrik 2021, 10:32 | Politikë
Raporti për zgjedhjet, Patozi: OSBE/ODIHR-i duhet të shpikë

Astrit Patozi, ish-koordinator i Bindjes Demokratike, ka reaguar në lidhje me raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit.

Patozi ka komentuar reagimet e dy partive të mëdha në lidhje me raportin, duke shkruar se vetëm te ne ndodh që të dyja palët politike të brohorasin me të njëjtën klithmë patetike triumfi për të njëjtin tekst të vëzhguesve ndërkombëtarë

“OSBE/ODIHR-i duhet të shpikë ndonjë gjuhë të veçantë për Shqipërinë, që të mos "përkthehen" kaq pacipësisht raportet e tyre për zgjedhjet tona. Ose të mos i botojnë fare dhe t'i mbajnë vetëm për përdorim të brendshëm.

Sepse vetëm te ne ndodh që të dyja palët politike të brohorasin me të njëjtën klithmë patetike triumfi për të njëjtin tekst të vëzhguesve ndërkombëtarë. Edhe pse reagimet për raportin e 25 prillit mund të jenë një rekord më vete i kësaj tradite tashmë të konsoliduar, në Tiranë kjo nuk i bën më askujt përshtypje.

Qeveria nxori mbrëmë Taulant Ballën të thotë se ky ishte lavdërimi më i madh i të gjitha kohërave për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa Luli nuk do të ishte shprehur aq i lumtur edhe sikur tekstin e raportit ta kishte shkruar Ivi Kaso. Sepse edhe ky i fundit nuk do të kishte guxuar t'i vinte titullin "masakër zgjedhore".

Mjafton kaq për të kuptuar se sa larg me të vërtetën dhe me publikun kanë shkuar dy partitë kryesore, të cilat mbajnë në këmbë kryetarokracinë në Shqipëri, njëra në pushtet dhe tjetra në opozitë”, shkruan Patozi. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/07/26/osbe-publikon-raportin-final-per-zgjedhjet-e-25-prillit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos