Raporti i “Freedom House”, Shqipëria ka përkeqësim, bie indeksi i demokracisë

Nga A2 CNN
6 Maj 2020, 09:14 | Aktualitet
Raporti i “Freedom House”, Shqipëria ka përkeqësim,

Shqipëria shënon përkeqësim sa i përket qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit në raportin vjetor të “Freedom House”, “Vendet në Tranzicion”. Vendi ynë vazhdon të jetë një demokraci në tranzicion ose hibride, ndërsa indeksi i demokracisë bie nga 3.89 në 3.82. Shtetet vlerësohen në një shkallë nga 1 në 7, ku 7 është niveli më i lartë i progresit demokratik.

Dy fushat që kanë shënuar rënie sipas raporti janë ato të qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor. Freedom House përmend krizën politike që pasoi dorëheqjen e ligjvënësve të opozitës në shkurt të 2019-s, shtyrjen e reformës zgjedhore dhe atë që e quan ndrydhje të medias nga qeveria socialiste.

Ligjvënësit e opozitës dorëzuan mandatet në shkurt të 2019-s dhe kërkuan zgjedhje të reja pasi një hetim zbuloi se Partia Socialiste në pushtet ishte ndihmuar nga rrjete të krimit të organizuar për të ardhur në pushtet në vitin 2017-të.  Socialistët shtynë reformën zgjedhore, ndërsa punonin për të ndrydhur median, e vijonin me planet për shkarkimin e presidentit.

Sa i përket rajonit, përkeqësimin me të rëndë e kanë shënuar Serbia dhe Mali i Zi, të cilat kanë rënë nga kategoria e demokracive në atë të  vendeve në tranzicion. Të dhënat më pozitive i përkasin Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që kanë shënuar përmirësime në një sërë fushash.

“Freedom House” vlerëson se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka siguruar rritje të indeksit të demokracisë gjatë 5 viteve të fundit.  E megjithatë, thuhet më tej, zhvillimet e fundit atje, hedhin dyshime mbi progresin e mëtejshëm.

Organizata me bazë në SHBA, vlerëson se një numër udhëheqësish në Evropën Qëndrore, Ballkanin Perëndimor dhe Euroazi as nuk pretendojnë më të shqetësohen për demokracinë dhe sundimin e ligjit, duke sulmuar haptazi institucionet demokratike e duke punuar për kufizimin e lirive individuale në rajon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos