Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi pas leximit pozitiv që i bëri ministrja e Financave, Anila Denaj, raportit të Moody’s mbi vlerësimin e vendit tonë në tregjet ndërkombëtare.
“Gënjeshtra u është bërë ves dhe i del me shpirtin politik. Raporti i fundit i Moody’s nuk ka bërë ASNJË renditje pozitive, por vlerësimin e ekonomisë. Ashtu si raportet e tjera ekonomike, nga FMN tek OECD, flasin për një kalbëzim të qeverisë nga korrupsioni. Moneyval flet për pastrimin e parave dhe e ka klasifikuar Shqipërinë në listën gri, Banka Botërore dhe BERZH raportojnë për një krizë të thellë ekonomike dhe recesion me 9% rënie. Në vend që të pranojë dështimin dhe të marrë masa për të ndihmuar njerëzit dhe ekonominë qeveria vazhdon avazin: vjedh dhe gënjen”, shkruan Tabaku në Facebook.
“Gënjeshtrat e përditshme dhe propaganda nuk e shndërrojnë të zezën në të bardhë. Ndryshimi është i pandalshëm. Kohë më të mira do të vijnë për shqiptarët dhe biznesin. Grabitësit dhe xhandarët e ekonomisë do të marrin përgjigjen e merituar”, shtoi Tabaku. (A2 Televizion)