Raporti i “Transparency International”: Shqipëria nuk ka përparim, bota po dështon në luftën ndaj korrupsionit

Nga A2 CNN
31 Janar 2023, 07:13 | Politikë

Shqipëria renditet në vendin e 101 nga 183 shtete që vlerësohen në Raportin e “Transparency International”, duke përparuar vetëm me 1 pikë, me 36 nga 35 pikë vitin e kaluar. Për Këshilltaren Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore të “Transparency International”, Lidija Prokic, ky është një ndryshim i vogël që nuk konsiderohet përparim.

“Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po shohim këtë ngecje në vend. Një situatë pothuajse të ngjashme kemi dhe në Mal të Zi, ndonëse atje numri i pikëve është pak më i lartë. Gjithsesi, ajo që do të doja të nënvizoja dhe që ka shumë rëndësi është, se Ballkani Perëndimor si rajon dhe vendet brenda tij po tregojnë shumë pak përparim gjatë këtyre viteve. Madje dhe kur ka përparim, nëse ndodh një gjë e tillë, ai nuk është i qëndrueshëm”, thotë ajo.

Shqipëria ka të njëjtën sasi pikësh me Serbinë, Turqinë, Ekuadorin, Kazakistanin, Panamanë, Perunë, Sri Lankën dhe Tajlandën.

Kosova ka përparuar me 2 pikë, duke marrë 41 nga 39 një vit më parë. Përmirësim me 1 pikë shënon dhe Maqedonia e Veriut, me 40 pikë. Edhe pse ka humbur 1 pikë, Mali i Zi renditet më mirë ndër vendet e rajonit, me 45 pikë.

Sipas të dhënave të Transparency International për vitet 2012 – 2022, nivelin më të lartë të korrupsionit Shqipëria e regjistroi në vitin 2013, me 31 pikë, ndërsa vlerësimin më të lartë e pati në vitin 2016 me 39 pikë.

Në 5 vitet e fundit, Shqipëria nuk ka shënuar ndonjë përparim duke u luhatur vazhdimisht mes 36 dhe 35 pikësh.

Në Raportin e përvitshëm të publikuar sot, Organizata Transparency International konstaton se pjesa më e madhe e botës vazhdon të dështojë në luftën kundër korrupsionit. 95 për qind e vendeve kanë bërë pak, ose aspak përparim që nga viti 2017, sipas raportit.

Indeksi rendit 180 shtete dhe territore sipas perceptimit të nivelit të korrupsionit në sektorin publik, sipas mendimit të ekspertëve dhe njerëzve të biznesit. Ai mbështetet në 13 burime të pavarura të dhënash, duke përdorur shkallëzimin nga 0 në 100 pikë; ku 0 tregon vende shumë të korruptuara, ndërsa 100 pikë vende me më pak korrupsion. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/10/yuri-kim-korrupsioni-gerryen-potencialin-e-shqiperise/

A2 CNN Livestream

Latest Videos