
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sheh me shqetësimin situatën e krimit të organizuar që sipas tij vijon të mbetet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të vendit.
Referuar një raporti të zyrës së Kombeve të Bashkuara që rendit Shqipërinë mes vendeve kryesore të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, Kreu i Shtetit tërheq vëmendjen e agjencive ligjzbatuese që sipas tij ende nuk janë përqendruar seriozisht në luftën kundër kanabizimit dhe trafikut të drogës.
“Mbrojtja politike e grupeve kriminale dhe shmangia e tyre nga drejtësia, përdorimi i bandave në fushatat elektorale dhe dhënia për ta si “koncension” i vijimit të trafiqeve, që po dëmton seriozisht imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Të gjithë shqiptarët i njohin grupet kriminale dhe ortakët e tyre në nivelet më të larta shtetërore. Drejtësia të reagojë tani”, përfundon reagimin e tij Presidenti i Republikës. (A2 Televizion)