
Kur na ndajnë vetëm 43 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi i ftuar në Ditari në A2 CNN deklaroi se 16 marsi është afati i fundit i koalicioneve për të dorëzuar dhe korrigjuar dokumentacionin për kandidatët. Ai tha se ende nuk ka filluar bashkëpunimi me prokurorinë.
“Data 16 mars është afati i fundit brenda të cilit koalicionet duhet të plotësojnë dokumentacionin apo ta korrigjojnë dhe pas kësaj KQZ do bëjë shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit ka një vëmendje të shtuar në lidhje me procesin e pastërtisë së figurës për të gjitha partitë politike dhe kur ka vëmendje të shtuar si nga opinioni e media duhet të ketë një fokus më të shtuar. Akoma nuk kemi filluar bashkëpunimin me Prokurorinë. Për një pjesë të kandidatëve kemi bërë verifikimin fillestar dhe paraprak që identifikojmë të dhënat dhe drejtoria e përgjithshme e burgjeve me gjendjen e penalitetit të tyre”.
Sa i takon kandidimit të Tom Doshit, Celibashi thotë se KQZ ka përgjegjësi për verifikimin e kandidatëve, por thotë se KQZ vepron pas dokumentacionit që vjen nga Prokuroria për kandidatin dhe nuk është një porces që kryeht brenda një afati të caktuar. Sipas tij nëse rezulton qe kandidati është në kushtet e ndalimit mandati mund t’i hiqet edhe nëse e ka fituar atë mandat.
“Mendoj që si nga ana institucionale dhe çdo pikëpamje tjetër në këtë fazë të administrimit të procesit zgjedhor është e qartë përgjegjësia e KQZ dhe nuk ka nevojë për një vëmendje të shtuar sa kohë që mungon mekanizmi procedurial për të adresuar kërkesa apo interesa të caktuara. KQZ ka përgjegjësinë e verifikimit të kandidatëve ka vëmendjen e shtuar ndaj çdo shqetësimi që vjen nga opinioni publik qoftë dhe nga partnerët tanë, se pse kjo gjë duhet bërë. Këtë nuk e them dot sot se do them kur të kemi një vendim nga komisioneri shtetëror, por si për këtë rast dhe për të gjitha rastet ne do bëjmë verifikimet e thelluar dhe në varësi të dokumentacionit që do ketë në dispozicion KQZ do të marrë vendimin. Ligji e parashikon se çfarë procedurash duhet të ndjekë KQZ. Nuk është një proces që kryhet brenda një afati të caktuar, kërkon investigim të thelluar nga prokuroria dhe ne kemi detyrimin që të bëjmë verifikimin paraprak për të marrë dy informacionet që përmenda më lart. Pjesa tjetër që ka të bëjë me pyetjen; ke qenë i dënuar apo jo dhe ka thënë po dhe veprat penale nuk hyjnë ne kategorinë që i ndalojnë kandidimin kjo e dhënë përbën indicie për KQZ që t’i kërkojë Prokurorisë informacion shtesë për këtë kandidat. Në deklaratën e dekriminalizimit një kandidat ka bërë një deklaratë që nuk është e pastër mund të konsiderohet se ka indice për të filluar një proces hetimi. Nëse dokumentacioni që KQZ do marrë prej organit të prokurorisë. Në momentin që vjen kjo përgjigje për KQZ e administron dokumentacionin nëse rezulton se kandidati është në kushtet e ndalimit, atëherë i hiqet mandati nëse e ka fituar këtë mandat dhe nëse ky proces ka filluar ky nuk përfshihet në listën e votimit”.
Celibashi theksoi se për miratimin e fletës së votimit duhet të presim deri në përfundim të verifikimit paraprak dhe shprehet se nuk do të jenë më shumë se 15 subjekte politike.
“Duhet të presim së pari sesa në finale do jetë numri i partive politike dhe koalicioneve ne kemi përfunduar verifikimin. Nuk do jenë më shumë se 15 subjekte. Për variantin nuk e themi dot sot se varet nga numri i subjekteve”.
Për votimin e personave me koronavirus ai tha se ligji e përcakton qartë se votohet vetëm në qendrën e votimit.
“Covid-19 në vetvete nuk është pengesë për të votuar dhe ajo që them unë është përcaktuar ligjërisht që votohet vetëm në qendrën e votimit. Çështja e atyre që janë me Covid nuk është çështje e KQZ nëse do të votosh duhet të vish në qendrën e votimi. Raste përjashtimore janë në burgje dhe spitale”.
Sa i takon financimit, ai thotë se është i plotë dhe janë në fazën përmbyllëse për projektin pilot të numërimit dhe votimit elektronik.
“Janë 15 mln euro për identifikimin elektronik, 1.2 mln euro për projektin pilot të identifikimit elektronik dhe 3 mln për kamerat në qendrwn e votimit. Financimi është i plotë për të gjitha aspektet përgatitore pa llogaritur edhe rreth 8 mln euro të tjera që janë kosto. Procesi i identifikimit ka përfunduar, kemi nënshkruar kontratën dhe jemi në fazën përmbyllëse të këtij projekti për pajisjen që do të përdoret për projektin pilot dhe në fazën përmbyllëse për vendosjen e kamerave. Koha ka qenë e shkurtër por për meritë të stafit e bashkëpunëtorëve ia kemi dalë dhe kjo është një gjë e mirë se jemi duke përgatitur një proces zgjedhor që nuk besoj se ndonjë palë do thotë nuk ia dolët dot. Sa i përket projektit pilot ne zgjodhëm një zonë që kishte pak zona votimi që e lejon zhvillimin e projektit pilot dhe nga zhvillimi në dy qarqe në një projekt më të vogël për të parë si funksionin pajisja dhe qasja e zgjedhësve, sjellja e komisionerëve etj. Ne po punojmë që të përgatisim zgjedhjet që asnjë prej palëve dhe veçanërisht humbësi të gjejë shkaqe për të justifikuar humbjen e tij për procesin zgjedhor”. (A2 Televizion)