Kosova shkruan historinë, mund Slloveninë dhe siguron playoff-in për në Botëror

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2025, 23:28 | Futboll

Kosova shkruan historinë, mund Slloveninë dhe siguron playoff-in

Një gol spektakolar i shënuar në pjesën e parë nga Fisnik Asllani e ka çuar Kosovën një hap larg kualifikimit në Botërorin e parë në histori, pasi Dardanët triumfuan 2-0 ndaj Sllovenisë në “Stožice Stadium”, duke siguruar vendin në play-offet ndërkonfederatave.

Kosova, që nuk e kishte mposhtur kurrë më parë Slloveninë (1 barazim, 2 humbje), hyri fuqishëm në ndeshje dhe që në minutën e gjashtë Asllani shpërtheu me një supergol. Sulmuesi kosovar, i pozicionuar në kufijtë e zonës, u shkëput me tre prekje të rafinuara nga mbrojtësit Bijol dhe Drkušić, për ta dërguar topin me finesë në cepin e portës, pa i lënë asnjë mundësi Jan Oblakut. Festimet e zjarrta me skuadrën ishin të merituara për një nga talentet më të nxehtë të futbollit kosovar.

Dardanët mund të dyfishonin shifrat shpejt, por dyherë radhazi Oblak i mohoi golin Asllanit dhe Rexhbecajt. Në anën tjetër, portieri Amir Saipi kishte një mbrëmje të qetë, duke u vënë në provë vetëm pas gjysmë ore lojë, kur ndali tentativën e Tomi Horvat.

Pjesa e dytë solli kolaps total për Slloveninë. Zëvendësuesi Petar Stojanović u përjashtua me dy kartonë të verdhë brenda pak minutash, duke e lënë skuadrën vendëse me dhjetë lojtarë. Pak më vonë, një autogol absurd i Karničnik, që devijoi në rrjetë një top të Muslijës, vulosi fatin e takimit. Vetëm pritjet e Oblakut shmangën një humbje më të thellë.

Me këtë fitore të madhe, Kosova siguron vendin në fazën playoff për Botërorin e vitit të ardhshëm. Të enjten, skuadra pret Zvicrën, ku vetëm një mrekulli do t’i jepte vendin e parë në grup dhe kualifikimin e drejtpërdrejtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos