Rasti McGonigal, Çupi: Organet e drejtësisë të tregojnë që janë të pavarura, të nisin hetimet

Nga A2 CNN
27 Janar 2023, 21:41 | Politikë
Rasti McGonigal, Çupi: Organet e drejtësisë të

“Një ngjarje e rëndë dhe e padëgjuar në vendin tonë por dhe në lajmet ndërkombëtare.” Kështu e ka komentuar deputetja demokrate Dhurata Çupi në “Intervistë” me Merita Haklajn përmendjen e kryeministrit Edi Rama në dosjen McGonigal.

Deputetja demokrate theksoi se prej 4 vitesh opozita akuzohet për “të ashtuquajturin lobim rus,” dhe tashmë del në dritë që kryeministri i vendit takohet me ish-zyrtarë të FBI-së dhe asnjë nga palët nuk i deklaron takimet.

“Nuk kemi hetim dhe as transparencë. Nuk kemi të hapur një dosje. Kemi 4 vite që opozita akuzohet për të ashtuquajturin lobimi rus. Debati politik konsiston në këtë ngërç të opozitës, sipas tyre. Dhe nga ana tjetër gjatë të njëjtave vite është lobuar nga mazhoranca për të shuar opozitën," u shpreh zonja Çupi.

Sipas nënkryetares së Komisionit të Ligjeve, pas bërjes publike të dosjes, duhej të kishim pasur një reagim urgjent të SPAK-ut. Ndërsa, qëndrimin e mbajtur deri më tani nga kryeministri Rama ajo e cilësoi si një lojë fjalësh për të shpëtuar nga përgjegjësia.

“Taktika të kryeministrit. Nuk pres që Rama të thotë jam i fajshëm dhe do t’i drejtohem drejtësisë. Kemi një kryeministër që thotë që përgjegjësia është personale. Organet e drejtësisë duhet të veprojnë. Në çdo seancë plenare, në çdo deklaratë, opozitës i përmendet i ashtuquajturi lobimi rus. Ne vijmë nga një diktaturë, e dimë çdo të thotë kur ka pushtetin vetëm një parti. Të shuash opozitën në një vend demokratik është shumë e rëndë.”

Ndërsa theksoi se vetëm fakti që përmendet një këshilltar i jashtëm pa pagesë duhej t’i mjaftonte organeve të drejtësisë që të nisnin hetimet, Dhurata Çupi shtoi se nuk është e ligjshme të lobohet me para të padeklaruara për të goditur opozitarizmin.

Por, përpos mazhorancës, ish-kryedemokratin Lulzim Basha për financimin rus të fushatave elektorale e ka akuzuar edhe kreu aktual i partisë Sali Berisha. Dhe, Dhurata Çupi shprehet se fakti që PD është e përçarë ka ardhur me pasojat e veta. Sipas saj, përçarja ka bërë që te qytetarët të krijohet perceptimi se opozita nuk është e fortë.

Deputetja demokrate tregoi po ashtu se ka nisur tashmë mbledhja e firmave për shkarkimin e kryeparlamentares Lindita Nikolla pas trazirave të seancës së të enjtes. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/26/grupi-parlamentar-i-pd-se-nis-proceduren-per-shkarkimin-e-lindita-nikolles/
https://a2news.com/2023/01/26/rama-per-skandalin-me-zyrtarin-e-fbi-parate-ruse-te-pd-se-jane-fakt-mcgonigal-nuk-akuzohet-per-asgje-nga-keto-qe-fliten/

A2 CNN Livestream

Latest Videos