
Kryeministri Edi Rama është shprehur mbrëmjen së mërkurës se ka bërë shumë mirë që ka takuar një ndër zyrtarët e FBI-së, ndërsa shtoi se do ta bënte sërish si veprim “sa herë që t’i jepet mundësia.
I pyetur nga gazetarët pas mbledhjes me drejtuesit politikë të qarqeve në selinë rozë, kreu i të majtëve tha se fakti që McGonigal ishte nën hetim nuk ka asnjë lidhje me të ndërsa shtoi se në SHBA ka folur drejtësia për rastin.
"Kam takuar një ndër zytarët të FBI dhe do ta takoja përsëri sa herë të më jepet mundësia. Kam takuar edhe presidentin e SHBA-ve. Dhe nëse ai do të jetë në hetim apo jo, kjo nuk ka lidhje me mua. Kam bërë shumë mirë që e kam takuar dhe nuk kam asnjë problem me këtë," u shpreh Rama.
Rama theksoi se ai dhe qeveria që ai drejton nuk ka asnjë lidhje me përfundimin e hetimit për një çështje që ai e cilësoi si “dytësore të dalë rrugës, ndërkohë që kryesorja është krejt tjetër.”
Besoj që njerëzit normalisht duhet të jenë mësuar se këtu opinion ndahet në një pjesë që beson medoemos atë që do të besojë dhe një pjesë që dëgjon dhe reflekton mbi faktet. Kjo është një çështje...e e hetuar nga drejtësia amerikane, e cila nuk nxjerr vendime për vrasje pa autorë apo për vrasje nga pakujdesia kur ato bëhen nga dritaret e institucioneve shtetërore dhe nuk ia përton kujt. Në këtë rast ka zero akuzë dhe zero lidhje mes asaj që diskutohet dhe meje dhe Republikës së Shqipërisë. Këto janë derivate të keqleximit të këtushëm, përmendja e emrit si pjesë e një takimi nuk ka asnjë lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. Takova një zyrtar të lartë, po, e takova, disa herë. Kjo nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja duke parë nga Tirana me dylbitë e politikës së çorollepsjes së njerëzve aq më pak kush jemi para një prove të re në lidhje me 21 janarin dhe kërkesën për hapjen e hetimit të SPAK. Kush e kupton e kupton, unë nuk kam pse komentoj asgjë. Unë dhe qeveria e Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me përfundimin e hetimit për një çështje dytësore të dalë rrugës, ndërkohë që kryesorja është krejt tjetër. (A2 Televizion)
Kryeministri Edi Rama