
Reagime të shumta ndërkombëtare erdhën pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, përmes “Twitter”-it u bëri thirrje palëve që të tregojnë përmbajtje dhe njoftoi se ka ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e situatës në terren që nga orët e para të mëngjesit.
“Prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore”
Delegacioni i BE-së në Shqipëri
Një reagim po në “Twitter” pati dhe federata Pan-Evropiane për Trashëgimi Kulturore, “Evropa Nostra”. Postimit i vendosi dhe hashtagun: “Kjo nuk është Evropa jonë”.
“Ditë e trishtë për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe Evropë. Ditë e trishtë për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri dhe Evropë”.
Evropa Nostra
Edhe reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, David Lega iu bashkua dënimit të veprimit të qeverisë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Bashkë me eurodeputetin Michael Gahler, ai apelon ndaj kryeministrit, Edi Rama që të ndalë dhunën ndaj aktivistëve e artistëve dhe të dialogojnë me shqiptarët e me Evropa Nostra.
Thirrjeve të tyre i janë bashkuar dhe përfaqësuesit të ndryshme diplomatike të vendeve të huaja në Shqipëri. Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf, reagoi për shembjen e Teatrit Kombëtar, duke e konsideruar këtë gjë si të nxituar dhe të vështirë për t’u kuptuar. Ndërsa, ambasada Britanike në vendin tonë shprehu shqetësim të thellë për mundësitë e humbura për dialog lidhur me ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe për episodet e dhunës. Ora dhe koha që ishte zgjedhur për aksionin gjithashtu shkaktoi reagime. Fondacioni gjerman, Konrad-Adenauer në Shqipëri dënoi vendimin për shembjen e teatrit, e veçanërisht mënyrën se si kjo ndodhi.
“Shumë e trishtë! Gjatë një aksioni në terr dhe mjegull u shemb në Tiranë Teatri Kombëtar! Shprehim keqardhje, për mënyrën e marrjes dhe zbatimit të vendimit për shembjen e një institucioni të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore kombëtare!” (A2 Televizion)
Konrad-Adenauer