Red Bull “show” në Arabinë Saudite, Perez fiton bindshëm, e ndjek Verstappen

Nga A2 CNN
19 Mars 2023, 20:10 | Sporte të tjera

Sergio Perez ishte fituesi i Çmimit të Madh të Arabisë Saudite në Formula 1 këtë të diel. Meksikani u vu në rrezik vetëm nga shoku i skuadrës, Max Verstappen, i cili edhe pse u nis i nga vendi i 15-të, në gjysmë të garës kishte dalë i dyti dhe tentoi edhe ta fitonte, por që në fund nuk ia doli pasi Perez bëri gjithçka perfekt deri në fund.

Kjo ishte dopieta e dytë sezonale për dyshen e Red Bull dhe një sinjal i madh për të gjithë skuadrat e tjera që, nëse gjërat nuk ndryshojnë shpejt, ky do të jetë sezoni i tyre i padiskutueshëm.

Në vend të tretë e mbylli Fernando Alonso, duke konfirmuar cilësitë e Aston Martin, por pas garës atij iu dha një penalitet prej 10 sekondash për shkak se kishte kryer një penalitet tjetër të dhënë gjatë garës në kohën kur në pistë ishte makina e sigurisë. Kështu, edhe pse në podium u ngjit Alonso, në fundit vendi i tretë i takoi George Russell-it dhe spanjolli zbriti në të katërtin. Në vend të pestë u rendit Lewis Hamilton.

Ferrari synonte të kapte të paktën vendin e tretë në këtë garë, por Carlos Sainz u rendit vetëm i gjashtë dhe pas tij Charles Leclerc. Ky i fundit u nis i 12-ti, por ngeci para shokut të skuadrës.

Pas dy garash këtë sezon, Verstappen kryeson renditjen me 44 pikë, i ndjekur nga Perez me 43, ndërsa Fernando Alonso ka 30 pikë. Sa i përket makinave, Red Bull ka 87 pikë, Aston Martin e ndjek me 38, po aq sa Mercedes, ndërsa Ferrari ka grumbulluar vetëm 26 pikë.

Gara e ardhshme do të zhvillohet në Australi, më 2 prill. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos