
Basketbolli prek fundin në Shkodër. Ekipi i meshkujve të Vllaznisë, kampione në shumë vite, ka rënë nga kategoria elitare e koshit. Ekipi shkodran vuajti prej fillimit të sezonit largimin e lojtarëve kryesorë dhe kryesisht mbështetjen financiare duke bërë që të vuloste rënien në Kategorinë e parë 4 javë përpara nisjes së fazës së playoff.
Humbja e fundit ndaj Apolonisë vulosi përfundimisht dhe matematikisht rënien. Sportet me dorë në tërësi janë dobësuar shumë vitet e fundit në Shkodër. Edhe volejbolli vuan ndërsa prej vitesh nuk është më pretendente për tituj si tek meshkujt ashtu edhe te femrat. Sipas ambientit sportiv shkodran kalimi i shumësportëshit të Vllaznisë nga pronësi e Bashkisë në pronësi të shoqatave sportive ka rezultuar një lëvizje e gabuar dhe me pasoja të rënda.
Skuadra e meshkujve të basketbollit të Vllaznisë, tashmë e rënë nga kategoria, është 9 herë kampione kombëtare, (e fundit 2015-2016), 12 herë fituese e Kupës së Shqipërisë dhe 1 herë fituese e Superkupës. (A2 Televizion)