
Reforma territoriale e vitit 2014, qëllimi i së cilës ishte ulja e shpenzimeve dhe përmirësimi i shërbimeve, në fakt vështirësoi jetesën e banorëve veçanërisht në fshatra.
Në këtë përfundim ka arritur Banka Botërore teksa vlerëson se ndarja e re administrative përkeqësoi shërbimet që lidhen me furnizimin me ujë, kanalizimet apo menaxhimin e mbetjeve.
Me gjithë problematikat që kishin ish-komunat, një njësi më e vogël administrative kishte një vëmendje më të madhe për të gjithë banorët e saj. Por sot, për një pjesë të madhe të territorit, veçanërisht ata që jetojnë në fshatra larg qendrës së bashkisë, jeta mund të jetë vështirësuar.
Në këtë përfundim ka arritur Banka Botërore në një dokument të saj, ku analizon efektet e reformës territoriale të vitit 2014.
“U zgjeruan aq shumë territoret saqë u bë e pamundur që pushteti bashkiak i qendërzuar të ofronte shërbime në zonat rurale,” shprehet Agron Haxhimali, ekspert i financave vendore.
Sipas Bankës Botërore, ndarja e re administrative që shkriu më shumë se 340 komuna përkeqësoi shërbimet që lidhen me furnizimin me ujë, kanalizimet, menaxhimin e mbetjeve, arsimin, kujdesi për fëmijët dhe reagimi ndaj fatkeqësive natyrore u përkeqësua.
“Mungesa e përfaqësimit dhe investimeve solli shpopullim të zonave rurale. Mungesa e vëmendjes po sjell gjithë këto probleme në zinxhirin ekonomik vendas që lidhen sa me mungesën e prodhimit aq edhe me inflacionin.”
Banka Botërore paralajmëron se përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve do të jetë sfida e përbashkët për të 61 kryebashkiakët e rinj pas zgjedhjeve të 14 majit.
“Është mesazh direkt që i jepet partive politike sa në qeveri dhe opozitë se si të korrigjojnë atë që deri tani ka shkuar keq.”
Mungesa e ofrimit të shërbimeve në zonat rurale nga njësitë e reja vendore që dolën nga reforma territoriale ka ndikuar në krijimin e pabarazive vlerëson Banka Botërore. (A2 Televizion)