
5-vjetori i nisjes së reformimit e gjen sistemin me 421 gjyqtarë e prokurorë, gati 50% e totalit të tyre, që kanë kaluar në filtrat e shkallës së parë të vetingut. Sipas të dhënave zyrtare, 174 prej tyre kanë kaluar me sukses, ndërsa 155 janë shkarkuar nga detyra.
Ndërsa shkalla e dytë e vetingut deri më tani ka lënë në fuqi 79 vendime të KPK. Korpusi i institucioneve të ngritura për llogari të reformës plotësohet pasi të nisë punë Byroja Kombëtare Hetimit. E ndërsa vetingu po e çon sistemin në kolaps, 5 vjet më vonë, me të drejtë, të gjithë presin rezultate nga institucionet e reja që u krijuan për t’i dhënë një tjetër fytyrë sistemit në Shqipëri.
Objektivat që u vendosën në Kushtetutën e 22 korrikut u shkelën vit pas viti dhe kur kompletimi i organeve të reja të drejtësisë ende nuk ka përfunduar, drejtuesit e institucioneve kanë filluar të theksojnë nevojën e ndryshimeve të tjera kushtetuese dhe ligjore. Për herë të parë këtë e theksoi edhe Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja.
Drejt përfundimit po shkon dhe mandati i disa prej anëtarëve të qeverisë së Gjyqësorit që përbëhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe ndër tre ndryshimet që propozojnë është edhe një fat për veten e tyre në shkallët e gjyqësorit dhe kjo edhe për ata që nuk kanë ardhur nga radhet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Të përshpejtohet procesi i formimit të magjistratëve të rinj dhe në këtë mënyrë fitojmë ritëm në prurjet. Propozimi 2 ka të bëjë me prezantimin e figurës së ndihmës ligjorit në të gjitha nivelet, do të zbuste problemin e vakancave në prokurori. Dhe i treti; ish-anëtarët e këshillave si unë, në përfundim të mandatit të emërohen gjyqtar në Apel, ku vakancat janë më të theksuara. Nëse në drejtësi largimet janë 60%, në Apel janë mbi 70%”., deklaroi Gent Ibrahimi.
Prej muajsh, Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela mendon se drejtësia nuk po tregon eficencë për qytetarët. E ardhmja e afërt është edhe më keq, nëse nuk veprohet, shpjegoi ai në 5 vjetorin e reformës.
“Situata në prokurori është mjaft e rënduar për shkak të vakancave që po krijohen, dhe parashikoj se në vjeshtë do bëhet më keq. Duhet të marrim hapa konkrete. Duhet ndryshuar ligji për shkollën e magjistraturës. Duhet të zgjatet koha e shkollës dhe viti i tretë të jetë vit pune.”
Kryeprokurori nuk e ka ndjerë veten komod dhe efektiv as me kompetencat që ka, ndjeshëm të reduktuara në raport me pararendësit e tij në këtë detyrë, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk i ka hapur shteg në këtë drejtim.
Juristët mendojnë se akoma nuk po shohim rezultatet që të gjithë presin edhe pse pranojnë se koha në dispozicion të drejtësisë së re ka qenë e pakët.
E për të thënë se asgjë nuk ka përfunduar akoma, janë ndërkombëtarët ata që futen në lojë. Përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë pranojnë se gjatë këtyre viteve ka pasur progres, por kjo nuk mjafton.
Ambasadorët Yuri Kim dhe Luigi Soreca, më shumë se tek arritjet e deritanishme, theksojnë nevojën që reforma të ecë përpara dhe të japë rezultate më të prekshme.
"Disa nuk kanë dashur të ndodhë, por tashmë po ndodh shumë do tentojnë të ndalojnë korrupsionin, është detyrë e shqiptarëve dhe jo të huajve që të konfirmojnë dhe bëjnë detyrën. Është koha që të hapni një epokë të re, të krijoni një sistem ku shqiptarët të kenë besim, ku kërkohet drejtësi. Keni bërë një punë të mirë, por ka ende shumë për të bërë. SHBA është me ju, dhe dëshiron të shohë punën tuaj në vijim. Do të jemi me ju deri në fund. Është koha e duhur të festojmë, ka arsye për të festuar, është arritur shumë, është koha për të arritur edhe më shumë, koha të shohim çfarë kemi bërë mirë e çfarë mund të përmirësojmë. Le të vijojmë përmirësimin që të vijojë një progres i suksesshëm. Është koha të tregojmë se drejtësia do mbizotërojë.”, u shpreh Yuri Kim, ambasadorja amerikane.
“Pavarësia, integriteti i Reformës në Drejtësi është shumë i rëndësishëm. Objektivi kryesor për vitet e ardhshme është që të punohet fort, në mënyrë që të zbatohet kjo reformë siç duhet. Do të kërkohet përgjegjshmëri për përfshirjen në zbatimin e reformës në drejtësi. Bazat ligjore të jenë në vend, korniza ligjore po ashtu të jetë në vendin e duhur, të luftohet korrupsioni. Sistemi duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane. Është i nevojshëm bashkëpunimi dhe koordinimi për reformën në drejtësi.”, tha kreu i delegacionit të BE, Luigi Soreca.
Pritshmëritë më të larta janë tek SPAK dhe Arben Kraja e ka një përgjigje për këtë.
“I di pritshmeritë, por ne ecim me faktet.”
Ka rezultuar më fjalëpaku dhe i drejtpërdrejti në takimet për drejtësinë, edhe mesazhi se nuk do të ketë përkulje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është i tillë.
Por vetëm tani struktura u plotësua me 15 prokurorë dhe do të duhet të ketë 20 të tillë, ndërsa vënia së afërmi e Byrosë Kombëtare të hetimit në funksion ka nevoja të tjera. Gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile bëjnë analizën e tyre mbi këtë 5-vjeçar.
E detyruar edhe nga ndërkombëtarët edhe politika deri tani ka qenë një nga përkrahëset e reformës në drejtësi, e cila u realizua me mision për të ndëshkuar pikërisht zyrtaret e niveleve më të larta, të ashtuquajturit peshqit e mëdhenj të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.
E kur SPAK ka nisur aksionet e para edhe ndaj organizatave kriminale edhe ndaj korrupsionit në zyrat e shtetit, kryeministri Rama ka ngritur duart përballë drejtësisë me një mesash ndaj familjes së tij politike. Përveç Kushtetutës konsensuale, ligji i vetëm që kaloi me votat e opozitës ishte ai për SPAK. Pas aksioneve të fundit Basha deklaron se pret më shumë.
Këtë do na tregojë vetëm politika e stinës së re, kur në fund të verës të kemi mësuar fytyrën e drejtimit në nivel qeveritar dhe opozitar, përtej Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.
Në korpusin e politikanëve kritikë ndaj asaj që po ndodh me drejtësinë është Ilir Meta, i cili nga ana e tij është në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e Parlamentit për shkarkimin e tij.
Parlamenti në shtator rikthen opozitën reale në Kuvend. Me rezultatin e 25 qershorit ajo është pak më e fortë se katër vitet e shkuara, duke ia bërë jetike votat e saj mazhorancës për kalimin e reformave të mëdha.
Për të marrë vetëm një shembull, opozita ka folur për reformë kushtetuese dhe mazhoranca nga ana e saj e ka të qartë se për të zgjatur mandatin e organeve të Vetingut do të duhet të prekë ligjin themeltar të shtetit. A do të shërbejë reforma në drejtësi për një paketë reformash deri për zgjedhjet apo për hartën territoriale?
(A2 Televizion)