Mazhoranca dhe opozita i janë rikthyer sërish përplasjeve, duke mos gjetur dakordësi për strukturimin e KQZ-së si dhe përcaktimin në Kod Zgjedhor të procedurave të tenderimit për identifikimin biometrik.
Socialistët kundërshtojnë propozimin e ri të Partisë Demokratike për përzgjedhjen e anëtarëve siç veprohet me organet e reja të sistemit të drejtësisë.
Për të majtët ky është kthim pas, ndërsa për opozitën, PS-ja synon të kapë të gjitha institucionet.
“PD-ja me sa kuptoj ka kërkuar një marrëveshje zgjedhore, marrëveshje për të marrë disa garanci që lidhen me leximin e dokumentit të identifikimit, ajo që quan identifikimi elektronik i zgjedhësit.'' PD do një KQZ siç ka qenë. PD kërkon sërish mandate 4-vjeçare për KQZ-në. PD kërkon procedura tenderimi. Kodi Zgjedhor nuk kërkon procedura për tendera”, tha Gjiknuri.
Ndërsa Oerd Bylykbashi deklaroi: “Këshilli politik sot diskutoi për një nga çështjet më të rëndësishme që përmban dakordësia e 5 qershorit për administrimin e zgjedhjeve që është KQZ. Ne i qëndrojmë pikë për pikë këtij dokumenti dakordësie në lidhje me identifikimin biometrik, ruajtjen e administratës zgjedhore nga politizimi dhe dakordësinë për KQZ për një formulë të re që do të vërë bazat jo vetëm për një KQZ efikase. Ne kemi bërë propozim sot për një formulë të emërimit të anëtarëve të tre trupave të KQZ nëpërmjet një formule të mirëpranuar dhe të kolauduar që sot është në Kushtetutë, formula për zgjedhjen e organeve të sistemit të drejtësisë. Një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur dhe jo politik të kandidaturave për të ushtruar detyrën në KQZ. Është një formulë që u kundërshtua nga mazhoranca socialiste pa asnjë arsyetim. Nuk i intereson për një arsye shumë të thjeshtë sepse i intereson kapja e plotë e KQZ në të tri organet. Dakordësia e datës 3 qershor konfirmohet, por nga ana tjetër ai që është qëllimi jo vetëm i dakordësisë është që garancitë ekzistuese në kodin zgjedhor për opozitën karshi një mazhorance që shkatërron zgjedhjet do të qëndrojnë dhe rriten, por nuk shkojnë më pak. Mazhoranca do vendime të njëanshme politike dhe kërkon kapjen e organeve”. (A2 Televizion)