Reforma Territoriale, anëtarët e PD-së në komision nisin konsultimet nga Durrësi

Nga A2 CNN
23 Korrik 2022, 20:11 | Politikë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka marrë pjesë në një takim me anëtarë të degës së PD në Durrës, për të diskutuar mbi qëndrimin rreth Reformës Administrativo-Territoriale.

“Qarku Durrës, edhe pse me mbi 10% të të gjithë popullsisë së vendit, ka vetëm 3 Bashki. Masakra territoriale më e madhe në 2014 është bërë me këtë qark. Pushtet vendor larg interesave të qytetarëve, i orientuar nga interesa korruptive e klienteliste. Një Bashki me superterritor si ajo e Durrësit, që fatkeqësisht është qeverisur vetëm me betonizim mbi rrënojat historike dhe brigjet e lakmueshme”, tha Alibeaj përmes një postimi në Facebook.

“E painteresuar t’u shërbejë qytetarëve, e paaftë tu shërbejë qytetarëve, por ama pjellore në skandale kriminale e korruptive. Qytetarët në Manzë, Ishëm e Sukth të lënë pa mbrojtje dhe të harruar, ndonëse të shumtë në numër. Një Bashki historike si ajo e Shijakut, mbi historinë dhe burimet zhvillimore të të cilës shtohet pluhuri i harresës çdo ditë e më shumë. Një përzierje pa kuptim midis Fushe Krujës dhe Krujës, duke zbehur identitetin kombëtar të kësaj të fundit. Një pushtet vetëqeverisës duhet të jetë ekonomikisht i vetëmjaftueshëm, porse duhet të ruajë identitetin, traditën, historinë dhe lidhjet e brendshme komunitare”.

Alibeaj shoqërohej në këtë takim nga deputeti i qarkut të Durrës, Ferdinand Xhaferraj dhe anëtarë të Komisionit për Reformën Territoriale, Dhurata Çupi, Andia Ulliri e Merita Bakiu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos