
Kreu demokrat Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se përdori reformën territoriale për të centralizuar pushtetin, duke vendosur në krye të njësive administrative të emëruarit e partisë. Në takimin fierakët për reformën territoriale, Berisha theksoi se qindra zona nuk përfaqësohen nga asnjë këshilltar.
“Edi Rama përdori reformën territoriale për parime të kundërta që duhej përdor. Nëse pushteti vendos ka parim themelor decentralizimin dhe autonominë, ai përdori centralizimin e këtij pushteti. Sot në Fier, në çdo qark, rreth, ke me qindra zona, fshatra, që nuk përfaqësohen nga asnjë këshilltar. Zëvendësoi të zgjedhurit e njësive administrative, me të emëruarit e partisë, të cilët nuk u japin qytetarëve asnjë llogari. I japin vetëm atij që i emëron. Ju jeni njerëz politikë dhe alfa e demokracisë fillon me votën dhe përfaqësimin. Ky, këto i shkatërroi nëpërmjet reformës në qeverisjen vendore. Përveç kësaj, në mënyrën më jo demokratike, i la bashki, të gjitha ato që donte dhe sot Gjirokastra me 120 mijë banorë ka 7 bashki, kurse Tirana me mbi 1 milionë banorë ka gjithsej 4 bashki. Ky është koncepti i Edi Ramës. Ndaj ai përbën një rrezik të madh kombëtar".
Teksa prezantoi projektin e PD për Reformën Territoriale, Berisha theksoi se kjo forcë politike do t’iu rikthejë pushtetin vendor qytetarëve.
“Ne jemi të angazhuar në një betejë shumëplanëshe. Në një anë alternativat që do ju ofrojmë qytetarëve. Grupi i punës me në krye Oerd Bylykbashin, Yllsi Asllanin, Ivi Kason, Bresnik Aliajn dhe ish-qeveritarët tanë vendorë të shkëlqyer do paraqesin para shqiptarëve projektin e ri të reformës territoriale i cili ka vetëm një synim, rikthimin te qytetari. Sot personeli i emëruar dhe në tërësi pushteti vendor shpenzon rreth 10% më shumë se shpenzonte më parë, shërbimet janë përtokë, investimet janë përtokë. Para dy ditësh dëgjova kreun e qarkut Korçë i cili i tha se gjatë 8 viteve janë ndërtuar në këtë qark 58 km. Kjo është një histori që komunitetet u braktisën, fshatrat u braktisën, përqendrimi i fondeve u bë tërësisht në Tiranë, ose në fushata elektorale dhe u bë një vjedhje që nuk ka kufi”. (A2 Televizion)