
Partia Demokratike bëri propozimet e saj konkrete në lidhje me Reformën Territoriale duke sugjeruar që numri i bashkive të jetë mes 80 dhe 120 nga 61 që janë aktualisht. Nënkryetari i kësaj force politike PD, Oerd Bylykbashi nënvizoi se për të arritur një rezultat që sipas tij do tejkalojë interesat afatshkurtra elektorale nevojitet konsensus i vërtetë politik.
“Dy projekte të mëdha kanë çuar në një hark diskutimi mes 80 dhe 120 bashkish që në çdo rast është ¼ e 384 bashkive dhe komunave të dikurshme. Reduktimi është drastik, por është funksional. Reformat nuk janë kurrë as për të mbyllur pazare dhe as për protagonizëm. Të gjithë deputetët e PD që i bashkohen qëndrimit tonë do të bëjnë të mundur që PS të mos i arrijë 94 votat për ndryshimin e Kushtetutës”, tha Bylykbashi.
Sipas tij Reforma territoriale e vitit 2014 ishte një dështim, i dukshëm në sytë e të gjithëve. Në një konferencë për mediat për këtë çështje, ai tha se qëllimi i saj u keqpërdor politikisht nga Rama, duke centralizuar pushtetin vendor dhe duke sjellë kosto për shqiptarët.
“Synohej të zvogëlonte administratën lokale duke kursyer para dhe pretendonte shërbime të mëdha. Por sot është larguar pushteti i zgjedhur nga qytetarët dhe demokracia lokale dhe vetëqeverisja vendore është asfiksuar, pushteti është centralizuar. Qëllimi i mirë i reformës territoriale u keqpërdor politikisht nga Rama sot është një dështim i kushtueshëm për qytetarët”.
Bylykbashi thekson se PD e ka denoncuar këtë reformë dhe shtoi që ka detyrimin për të sjellë propozime për këtë çështje. Ai njoftoi se ka nisur puna
“PD e ka denoncuar që atëherë dhe ka vendim politik të qartë të marrë pjesë e ka detyrimin të bëjë propozimet më të mira e cilësore në avantazh të shqiptarëve. Është ngritur grup pune që ka ekspertizën më të mirë për qeverisjen vendore nga ekspertë e drejtues të pushtetit vendor dhe do të përgatisë materialet për qëndrimet e PD. Gjithashtu në kuadër të sekretariatit për pushtetin vendor është ngritur sekretariati në çdo rreth ku do të mbledh kontributin e të gjitha viteve që Partia Demokratike ka pasur në reformën territoriale. Reforma territoriale është një instrument që nuk duhet humbur, sepse diçka e bërë keq për interesa të vogla politike sjell pasoja të rënda më pas. Kemi shpërndarë një pyetësor për të mbledhur mendime në çdo anë përsa i përket kësaj. Kemi kapacitetet për të çuar një Reformë Zgjedhore, pas rreth 9 muajsh do të jenë edhe zgjedhjet vendore. Theksoj se ky do të jetë një vendim politik, që do të ketë mbështetjen politike. Nuk do të jetë një reformë false si ajo e vitit 2014, por një reformë territoriale e pushtetit vendor afatgjatë". (A2 Televizion)