
Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp në Bruksel, foli edhe për raportin e Dick Marty, për trafikim organesh në luftën në Kosovë.
“U nis nga Rusia dhe jo nga dikush tjetër, apo nga zëdhënësa rusë. Ka 0 fakte apo qoftë edhe dyshime mbi trafikimin e organeve. Ka qenë ky raport plot me gjepura që ka sjellë në jetë Gjykatën Speciale. Nuk ka sjellë asgjë. Kërkojmë t’i themi botës se kjo ishte një maskaradë, nëpërmjet një sasie të madhe balte të hedhur ndaj luftës së UÇK-së. Nuk është akuzë, janë fakte dhe nuk ka asnjë provë të kush e di se sa hetimeve që ka pasur trafikim të organeve njerëzore të udhëhequr nga UÇK-ja, që ka qenë viktimë e një sulmi të organizuar në gjithë botën”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se Këshilli i Europës duhet të kërkojë falje: “Kjo është një faqe turpi e Këshillit të Europës dhe duhet të gjejë kurajon të dalë përballë e të thotë “na falni”. Institucione kaq demokratike nuk mund ta bëjnë diçka të tillë në një vend që gjëra të tmerrshme kanë ndodhur. Është e pamundur të akuzosh një popull të tërë që u çlirua nga bashkëpunimi i NATO-s dhe vendeve demokratike kundër makinerisë së Slobodan Millosheviçit dhe të hidhen në thellësinë më të madhe të plehrave gazetareske”. (A2 Televizion)