
Demokratët janë të gatshëm të mos i lënë socialistët që të presin deri javën e ardhshme. Përgjigjen për t’iu bashkuar Reformës Zgjedhore, kryedemokrati ua dha që sot, duke hedhur poshtë pretendimet për braktisje të tryezës.
Me tone më të ashpra ka qenë qëndrimi i LSI-së lidhur me mundësinë e miratimit të reformës vetëm nga Parlamenti, pa marrë parasysh propozimet e opozitës jashtëparlamentare. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili theksoi: “E dimë që Rilindja kërkon bllokimin e Reformës Zgjedhore dhe logjikën e faktit të kryer për të miratuar një reformë hajdute votash me komisionin dhe parlamentin e karavidheve. Por, ta harrojë një herë e përgjithmonë se mund ta bëjë këtë, pasi përgjigjja do të ishte aq e fortë sa nuk ia pret mendja”.
Më herët, ishte ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, i cili i tërhoqi vëmendjen palëve politike që të bashkëpunojnë.
“Thelbësore që Këshilli Politik rifillon punën ndërpartiake për #ReformënZgjedhore, edhe në kohë të vështira të #COVID19. Shumë e rëndësishme që reforma të mbështetet nga të gjithë aktorët politikë, në interesin më të lartë të Shqipërisë, që të përmbushë sa më shpejt kushtet e Këshillit Evropian”, tha Soreca.
Reforma Zgjedhore është një nga kushtet kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë që të ulet në tryezën e parë të takimit ndërqeveritar me BE-në. (A2 Televizion)