
“Votat mazhoranca i ka pasur, një pjesë e vjedhur në 2017-n dhe një pjesë e këtyre që janë në shkelje të Kushtetutës, ata që zëvendësuan mandatet. Nëse duan të bëjnë atë farsën, të cilën mund ta kishin bërë me kohë, le ta bëjnë, por pasojat do të jenë shumë të rënda. Edhe kur Bundestagu vuri kushtin që opozita të ishte pjesë e reformës, votat aty ishin”.
Kështu u shpreh në A2 Oerd Bylykbashi, përfaqësues i PD-së në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, teksa komentoi zhvillimet në mbledhjen e fundit të komisionit për këtë reformë.
“Procesi i këshillit u ndërpre për arsye objektive dhe ne kemi bërë një numër propozimesh të rëndësishme dhe ose kemi ndeshur kundërshtinë ose një taktikë, ku kanë përzgjedhur pjesëza të vogla, pasi ashtu ju leverdis. Kemi ndeshur më 9 mars një qëndrim të mazhorancës, ku dukej qartë, ku thuhej se do ta përdorim këshillin për një debat fals dhe do ta miratojmë me votat tona produktin që duam ne, por këtë nuk e lejojmë. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm për mungesën e legjitimitetit të parlamentit që ka dalë nga shitblerja e votës. Në procesin e nisur, ne kemi bërë propozime dhe kemi ndeshur vetëm kundërshtimin. Nëse mazhoranca është e gatshme për konsensus në përputhje me rekomandimet e ODIHR, ne kemi qenë të gatshëm që më 14 janar, por ata kanë qenë pasiv dhe refuzues”, tha Bylykbashi.
Më tej, ai u theksoi se Këshilli Politik është rruga e vetme drejt reformës zgjedhore.
“Nëse i rikthehemi 9 marsit, unë dhe Vasili kemi pasur një reagim për trukun dhe rrezikun e madh që PS-ja të anashkalojë Këshillin Politik. Nëse kërcënojnë përsëri me afate dhe me shumica votash, kot lodhen, as mos të humbasin kohë, pasi faturën e marrin shumë shpejt. Ai lloj presioni kalon pa asnjë gjurmë. I tërheq vëmendjen Gjiknurit, se procesi ndodh në Këshillin Politik, sipas ndërkombëtarëve. Gjiknuri ta harrojë që me këto lloj mekanizmash të sistemit të drejtësisë të vendosë ushtarët militantë gjyqtarë në Kolegjin Zgjedhor, që mbasi të bëjnë llum procesin e votimit, duke mbushur kutitë, duke keqnumëruar kutitë dhe duke bllokuar tentativat në KQZ, vulën e vjedhjes ta vendosë me Kolegjin Zgjedhor, me gjyqtarë të zgjedhur me pincetë. Kjo nuk ka për të funksionuar. Konsensusi është e vetmja rrugë për t’i garantuar shqiptarëve zgjedhje që nuk vidhen nga çunat e fortë”. (A2 Televizion)