Letra e opozitës: Të mblidhet Këshilli Politik, jemi të angazhuar për zgjedhje të lira e të ndershme

Nga A2 CNN
6 Maj 2020, 17:29 | Politikë
Letra e opozitës: Të mblidhet Këshilli Politik, jemi të

Përfaqësuesit e Opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, kërkojnë mbledhjen sa më parë të Këshillit Politik. Ata i kanë dërguar një letër pjesës parlametare të Këshillit, Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit, ku shprehet kërkesa për mbledhjen e komisionit edhe të dielën, në mënyrë që të vijohet sa më shpejt me reformën zgjedhore.

“Opozita ka qenë dhe mbetet e angazhuar për përmbushjen e këtij kushti për hapjen e negociatave me BE dhe për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky ka qenë angazhimi ynë i përditshëm, duke i vlerësuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themelin e demokracisë, dhe procesin e integrimit evropian si prioritet kombëtar”, lexohet në letër.

Në letër theksohet se debati i hapur në media nga ana e përfaqësuesve parlametarë për pjesëmarrjen apo jo të opozitës në Këshill, nuk ka asnjë bazë të vërtetë. “Nga momenti i ndërprerjes së mbledhjeve për shkak të pandemisë, nuk ka pasur asnjë kërkesë apo ftesë për rinisjen e punës nga ana juaj.”- thuhet në letër, ku nuk mirëpriten qëndrimet e përfaqësuesve parlamentarë në lidhje me reformën zgjedhore.

“Deklaratat nga ana juaj për një reformë jokonsensuale dhe të njëanshme synojnë krijimin e ngërçeve politike artificiale që dëmtojnë konsensualitetin e Reformës Zgjedhore dhe janë shpenzim energjish i kotë në dëm të përmbushjes së një prej kushteve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave për anëtarësim”, shton letra.

“Pavarësisht mungesës së përgjigjes nga ana juaj për propozimet tona, ne mbetemi të angazhuar, jo për fjalë apo debate pa vlerë, por për përmbylljen sa më parë të Reformës Zgjedhore, duke siguruar implementimin e Rekomandimeve të OSBE/ODIHR për standardet demokratike të zgjedhjeve”, vijon letra.

Rendi i ditës për mbledhjen e kërkuar nga opozita të dielën ose të hënën përmban 3 pika:

1.            Riskedulimin e kalendarit të punës së Këshillit Politik, duke synuar përmbylljen e punës brenda datës 31 Maj 2020.

2.            Vlerësimin e përfaqësuesve të mazhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik.

3.            Çështje të tjera të propozuara nga anëtarët e tjerë të Këshillit Politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos