Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të supozuar nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, ku ai fliste për mundësinë që Rusia të furnizojë Iranin me koka bërthamore.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump shprehu shqetësimin e tij dhe i bëri thirrje që të konfirmohej menjëherë vërtetësia e deklaratës.
“E dëgjova ish-Presidentin Medvedev, të Rusisë, duke hedhur me indiferencë fjalën 'N' (Bërthamore!) dhe duke thënë se ai dhe vende të tjera do t'i furnizojnë Iranin me koka bërthamore? A e tha vërtet këtë apo është thjesht një pjellë e imagjinatës sime?”, shkroi Trump.
Ai e vazhdoi mesazhin duke e përfshirë drejtpërdrejt Vladimir Putinin në këtë çështje:
"Nëse e tha këtë, dhe nëse konfirmohet, ju lutem më njoftoni, MENJËHERË. Fjala 'N' nuk duhet të trajtohet kaq rastësisht. Mendoj se kjo është arsyeja pse Putin është 'SHEFI'.”
Trump gjithashtu përdori rastin për të lavdëruar fuqinë ushtarake të SHBA-së, sidomos në kontekstin e raportimeve për sulme ndaj objekteve bërthamore në Iran. Kreu i Shtëpisë së Bardhë madje tha se arsenali ushtarak i Amerikës është 20 vite para gjithë të tjerëve.
“Nëse dikush mendon se 'pajisjet' tona ishin të shkëlqyera gjatë fundjavës, atëherë le të dini që më të fuqishmet dhe më të mirat që kemi janë nëndetëset tona bërthamore. Ato janë armët më të fuqishme dhe vdekjeprurëse të ndërtuara ndonjëherë, dhe sapo qëlluan 30 raketa Tomahaëk. Të gjitha 30 goditën objektivin në mënyrë perfekte. Pra, përveç pilotëve tanë të shkëlqyer, faleminderit kapitenit dhe ekuipazhit!"
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur tensionet janë rritje mes Perëndimit dhe fuqive si Rusia e Irani, me spekulime mbi ndihmën ushtarake dhe teknologjike që mund t’i ofrohet Teheranit.
Deri më tani, nuk ka pasur një konfirmim zyrtar për deklaratën e Medvedev. (A2 Televizion)