Reforma zgjedhore, Rama: Më vjen keq që në 2020-n të ketë akoma ambasadorë për marrëveshje

Nga A2 CNN
2 Qershor 2020, 12:35 | Politikë
Reforma zgjedhore, Rama: Më vjen keq që në 2020-n të

Jo i drejtpërdrejtë, por i qartë mes rreshtash kryeministri Rama deklaroi pozicionin e mazhorancës përballë debatit për reformën zgjedhore.

Sipas tij, produkti i deritanishëm është brenda kornizave të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, duke pritur dakordësinë për t’u miratuar në Kuvend. Ndërsa, shmangu detajet për bisedat mes palëve, kreu i qeverisë shprehu keqardhje që dhe në 2020 diplomatët e huaj zhvillojnë takime për konsensus në selitë partiake.

“Unë mendoj që do të duhet ta kishim bërë vetë këtë, por duke qenë se palët e tjera kanë nevojë për këtë element edhe për të pasur garanci, nuk e di se çfarë, nuk ka problem, u jam mirënjohës miqve, për të bërë më të mirën për të lehtësuar komunikim, por nuk kam koment sot. Mendoj që ka akoma të tjerë që duhet të flasin. Për sa i takon takimit, në Shqipëri në 2020 nuk është e hijshme për ne, që për çështje të brendshme dhe që lidhen me vendosjen e rregullave të lojës, ku palët janë dy skuadra apo më shumë që do të zhvillojnë një ndeshje, apo një finale, ulen dhe biem dakord, sa është fusha, sa është porta, etj., të bëhet me ambasadorë që hyjnë dhe dalin nëpër dyer.

Megjithatë është për të thënë faleminderit, përderisa ka palë që nuk e bëjnë vetë. Unë kam qenë në opozitë dhe disa herë i kam kërkuar kryeministrit të kohës të uleshim për gjërat që duheshin diskutuar dhe tani kanë ndryshuar pozicionet. Kur isha në opozitë kërkoja të uleshim, tani kërkoj të ulemi. Ju e dini historinë”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos