Një ditë pas takimit maratonë me përfaqësuesit e partive politike shqiptare, ambasadorët ndërmjetësues organizuan një takim me njëri-tjetrin.
Ambasadorja amerikane Juri Kim dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar Duncan Norman, dhe ai i OSBE, Bernd Borchardt, mbërritën rreth orës 11:00 në zyrat e delegacionit të Bashkimit Europian për t’u takuar me ambasadorin Luigi Soreca. Takimi zgjati rreth një orë dhe në përfundim të tij, ansjë prej ambasadorëve pjesëmarrës nuk u prononcua për mediat.
Paralelisht, në selinë e Partisë Demokratike, kreu i saj, Lulzim Basha, do të zhvillojë një takim me ekspertët e opozitës për reformën.
Një natë më parë, me një draft marrëveshje në duar, përmbajtja e të cilës është ende jo publike, Kim deklaroi se sa i përket Reformës Zgjedhore është bërë progres i jashtëzakonshëm dhe pasi përgëzoi socialistët tha se “topi” ishte në fushën e kreut të PD, Lulzim Basha. Edhe ai pranoi se është bërë progres, por ka mbetur vetëm një çështje për t’u zgjidhur. (A2 Televizion)